Lista e re e votuesve dhe rritja e numrit të votuesve në ish komunat e Zajazit dhe Osllomesë, si dhe qendrës Zhupë, kanë ngritur dyshime tek analistët politik në vend të cilët thonë se këto ndryshime janë larg çdo logjike statistikore dhe zgjedhore. Dyshimet edhe më shumë rriten për faktin se numri i votuesve është rritur në zonat bastion të partive në pushtet, që nuk ndodh edhe në komunat e tjera. Sipas analistit Robert Nesimi, rritja në Zajas dhe Osllome është drastike dhe nuk përputhet me asnjë trend tjetër të lëvizjes së numrit të votuesve në tërë vendit.

 

“Po nëse e analizojmë numrin e votuesve nëpër komuna siç i ka shpall KSHZ ka shumë anomali, vazhdojnë të jenë disa komuna me më tepër votues se popullsi dhe një fenomen tjetër që e keni zbuluar edhe ju është rritja tejet e madhe e votuesve në disa komuna si për shembull në qendër zhupë dhe në Kërçovë, për shembull në pjesën shqiptare në kërçovë numri është rritur për 11 për qind. Statistikisht ky fenomen mund të ndodhe nëse nënat bëjnë ka 15 fëmijë, ose nëse ka ndonjë migrim në atë komunë, pra jo të ikin nga ajo komunë por të vijnë në atë komunë që e dijmë se nuk mund të ketë ndodhë”, deklaroi analisti Robert Nesimi.
Nesimi kujton se në vendbanimet shqiptare të Kërçovës paraprakisht ishte shënuar ulje e numrit të votuesve, ndërsa në dy vitet e fundit paraqitet e kundërta. Ai përjashton edhe mundësinë e rikthimit të votuesve të fshirë në të kaluarën, pasi thotë se ky korrigjim nuk ka ndodhur në komunat e tjera.
“Një arsye tjetër mund të jenë se është bërë korrigjimi i njerëzve që ndoshta mund të jenë fshirë në 2011, por atëherë parashtrohet pyetja pse kjo është bërë vetëm në Kërçovë, ndërsa nga ana tjetër shohim se në Çair numri i votuesve është ulur për rreth 2500 apo është zvogluar për rreth 4% nga totali që ka pasur më 2011”, tha më tej ai.
Politologu Xhenis Sulimani thotë se partitë nënshkruese të marrëveshjes së Përzhinos lanë shumë parregullsi në listën e votuesve siç ishte edhe disbalansi i njësive. Rritja e numrit të votuesve së fundmi në zonat që në të kaluarën ishin bastion i pushtetit, sipas Sulimanit, ngre dyshime se me këtë mënyrë i është hapur rruga manipulimit të zgjedhjeve të 11 dhjetorit.
“Ky disbalans u mundëson partive politike nënshkruese të përzhinos që të bëjnë manipulime në zgjedhje. Do të thotë moskordinimi I tyre tash ka pasuar edhe me ndryshim edhe më drastik të numrave dhe kjo është një hapje e dyerve drejt manipulimeve të mundshme zgjedhore nëpër vende ku këto parti nënshkruese të Pëërzhinos I konsiderojnë si bastione të tyre”, deklaroi politologu Xhenis Sulimani.

Përndryshe, dje KSHZ publikoi listën e plotë të votuesve, ndërsa televizioni Shenja zbuloi se në Qendër Zhupë dhe në ish komunat e Zajazit dhe Osllomesë është regjistruar një rritje drastike e numrit të votuesve për 11 për qind. Nga ana tjetër shumë komuna disa herë më të mëdha kishin shënuar rritje simbolike, ndërsa në disa të tjera siç është Komuna e Çairit, numri i votuesve ishte ulur deri në minus 2000 votues.

.