Netflix ka blerë zhvilluesin e lojërave të pavarur me bazë në Teksas, Boss Fight Entertainment, njoftoi kompania në një postim në blog.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, kushtet financiare të marrëveshjes nuk u zbuluan. Marrëveshja, e cila shënon blerjen e tretë të Netflix të një kompanie lojërash, është pjesë e shtytjes së vazhdueshme të shërbimit të transmetimit drejt lojërave.

Boss Fight u themelua në vitin 2013 nga ish-punonjës të Zynga Dallas dhe Ensemble Studios. Netflix thotë se përvoja e studios me ndërtimin e lojërave në zhanre do të ndihmojë në përshpejtimin e aftësisë së saj për t’ju ofruar përdoruesve të Netflix më shumë tituj.

Ekipi i Boss Fight do të vazhdojë të operojë jashtë studiove të tyre aktuale në Dallas, Austin dhe Seattle.

“Misioni i Boss Fight është të sjellë përvoja të thjeshta, të bukura dhe argëtuese për lojtarët tanë kudo që ata të luajnë”, thanë themeluesit e Boss Fight Entertainment, David Rippy, Bill Jackson dhe Scott Winsett.

“Angazhimi i Netflix për të ofruar lojëra pa reklama si pjesë e abonimeve të anëtarëve u mundëson zhvilluesve të lojërave si ne të përqendrohen në krijimin e lojërave të këndshme pa u shqetësuar për fitimin e parave. Nuk mund të ishim më të entuziazmuar për t’iu bashkuar Netflix-it në këtë fazë të hershme, pasi vazhdojmë të bëjmë atë që duam të bëjmë, ndërkohë që ndihmojmë në formësimin e së ardhmes së lojërave në Netflix së bashku”.