Profiterët politikë e fetarë kishin arsye të madhe të reagojnë kundër artikullit për ekstremizmin dhe “plleshmërinë e Kosovës”, të botuar ditë më parë në New York Times. Arsye për të reaguar “kundër”, për tjera qëllime, pati edhe ambasadori amerikan, Greg Delawie! Askush tjetër! 

Plot 17 vjet jemi duke dëgjuar politikanët sesi duhet bërë Kosova! Flasin për qeverisjen e mirë – institucione të pavarura e demokratike; investime e zhvillim ekonomik; punësim e prosperitet; ligj e drejtësi të paanashme; liri të shprehjes e besimit; lëvizje të lirë e integrim në Bashkimin Evropian dhe NATO. Me këso llafesh, tash shumë prej këtyre politikanëve janë bërë milionerë “përkrye nate”, ndërsa Kosova, nga ky model qeveritarësh, ka fituar asteriksin nga bisedime me Serbinë dhe shumë “yje” të tjerë, që saherë i shfaqen, nuk e shkëlqejnë.

Sot, Kosova është një nga vendet me nivelin më të lartë të korrupsionit në Evropë; është një nga pesë vendet që ka më së shumti luftëtarë të huaj (për kokë banori) në Siri dhe Irak; është një prej vendeve të Ballkanit me më së paku investime; ka shëndetësi të kriminalizuar e mungesë barërash esenciale; arsimim jocilësor e reforma pafund; gati gjysmën e popullatës të papunë; 15 përqind që jetojnë në varfëri të skajshme dhe rreth 150 mijë azilkërkues gjatë dy vjetëve të fundit!

Pra, me këto statistika, të cilat nuk janë të shpikura, por të nxjerra nga organizata me renome ndërkombëtare (pa marr fare parasysh këtu faktin se shumica e shtetasëve kosovarë i takojnë besimit Islam), Kosova, 17 vjet pas Çlirimit dhe tetë vjetë pas Pavarësisë, e qeverisur dhe mbikëqyrur për disa vjet edhe nga profiterët e Kombeve të Bashkuara dhe burokratët e Bashkimit Evropian, është një vend i plleshëm për çfardo lloj ekstremizmi të dhunshëm, jo vetëm fetar, siç ka shkruar gazeta prestigjioze amerikane The New York Times!

Në Kosovë ka ekstremizëm! Ka edhe ekstremistë të islamit politikë, të cilët qysh pas luftës punojnë të gjejnë terren, gjithnjë në emër të besimit Islam. Imponohen dhunshëm, me para, me shpëlarje truri e blerje vote! Dhe të tillë kanë arritur të infiltrohen jo vetëm në Bashkësinë Islame, nëpër xhami, por edhe brenda shoqërisë civile, kanë krijuar parti politike islamike dhe disa janë futur edhe nëpër institucione, deri në Qeveri e Kuvend!

Si rrjedhojë, tash Kosova ka burra të cilët keqtrajtojnë gratë e tyre që refuzojnë të falin pesë vaktet; ka djem që maltretojnë motrat e tyre se refuzojnë bartjen e shamisë; ka rrehje të xhematit brenda xhamive; ka organizata ilegale; ka xhami jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame; ka hoxhallarë profiterë që përpiqen të përdhosin figurat historike kombëtare të besimit tjetër fetar dhe asish që nxisin përçarje ndërfetare brenda shqiptarëve. Të gjitha këto të dhëna janë në Polici!

Në këtë situatë, reale, por të hidhur, kushdo që guxonte të bënte ndarjen midis islamit politik dhe besimit Islam, etiketohej si islamofobë. Qëllimshëm apo prej padijës, ndonjëherë ky etiketim ka ardhur edhe prej disa figurave publike, që pretendojnë të jenë mbrojtës të mëdhenj të vlerave demokratike – lirisë së shprehjes, të besimit dhe të drejtave të njeriut!

Gjatë këtyre viteve ka ndodhur që qëndrimet e atyre që kanë dalë hapur kundër kërkesave të islamit politik, janë shtrembëruar dhe nxjerrë qëllimshëm si kundërshtime “ateistësh” ndaj besimeve fetare, në veçanti kundër Islamit. Janë etiketuar e kërcënuar gazetarë, politikanë dhe figura tjera publike, shumica e tyre të besimit Islam, vetëm se kanë kuptuar drejtë synimin e ekatremistëve të financuar jo vetëm nga Arabia Saudite.

Kur flitej për ndalimin e garës së mëhallës me mëhallë dhe rregullimit me decibel të thirrjes së Ezanit nga hoxhallarët, përfaqësuesit e islamit politik e interpretonin si kërkesë të “pa-feve” për ndaljen e tij në tërsi. Kjo masë, e kontrollit të volumit të altoparlanteve, e cila është e rregulluar me ligj edhe në shumë vende arabe, në Kosovë varet nga kultura e hoxhallarëve, cilësia e pajisjeve të zërimit dhe rrymës që drejton xhematin – Islamit tonë tradicional apo “Islamit të vërtetë” të importuar pasluftës.

Kur u kundërshtua mbulimi i vajzave pesëvjeçare në institucionet parafillore, të atyre në shkollat fillore dhe të mesme, si përpjekje për të mbrojtur fëmijët nga manipulimet, imponimet e dogmat e disa hoxhallarëve, ekstremistët e interpretuan si përpjekje të “degjeneruarëve” (moralisht) për t’ua ndaluar me ligj grave bartjen e shamive. Në fakt, askush nuk kundërshtonte vendimin rreth shamisë të një vajze shqiptare myslimane pasi të ketë mbushur 18 vjet! Fjala ishte për të drejtat e fëmijëve, për shkollat publike, për shtet të ndarë nga feja!

Tash, është bërë shprehi që sa herë të shfaqet ndonjë “asteriksë i zi”, shfaqen edhe “rojtarët e vlerave”, të luftës, të shtetit, të Republikës, të lirisë, demokracisë, fjalës, besimit, dhe gjithçka kthehet aty ku ishte – tallava! Kështu, kur flitet për luftën kundër korrupsionit, reagojnë profiterët e politikës – e quajne përceptim; kur flitet për ekstremizmin politik islamik, reagojnë profiterët fetarë – e quajnë islamofobi; kur fillon e mbushet kupa – përçahet opozita; kur të gjithë bëjnë sikur nuk ka ndodhur asgjë, shfaqet shoqeria civile me “pro et contra” vend e pavend!

Është vlerë, fat dhe fakt që shumica dërmuese e kosovarëve janë të lirë për sa i përket besimit. Disa janë besimtarë të devotshëm që edukohen nëpër xhami nga hoxhallarë, të cilët përpara së gjithash janë qytetarë, patriotë dhe shqiptarë të ndershëm. Por, janë pikërisht këta që shpeshherë kërcënohen nga ekstremistë të dhunshëm, siç ishte rasti i rrahjes së Xhabir Hamitit, profesorit në Fakultetin e Shkencave Islame, dhe disa hoxhallarëve të tjerë që predikojnë dhe promovojnë Islamin dhe ruajtjen e vlerave kombëtare shqiptare.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie e njeh mirë peshën e çfarëdo artikulli që botohet në New York Times. Reagoi me kujdes, dhe si diplomat i një shteti mik, që shqetësohet për raportet e vendit të tij me Kosovën edhe në të ardhmen e largët. Por, si të kuptohen reagimet e vendorëve, sidomos të gazetarëve, analistëve dhe disa figurave publike nga shoqëria civile, që të “trimëruar” nga Delawie, nxorën vrerë kundër artikullit të botuar në New York Times!?

Si gazetarë profesionistë duhet të përgëzoni New York Times me një “thank you” që ka shkruar për një të keqe të madhe globale me të cilën po përballet edhe shoqëria kosovare – për esktremizmin e dhunshëm që ka ndarë nënën prej vajzës, për babanë që nuk shkon ta shoh djalin në burg, për të tjetrin që ka shitur edhe lopën për ta shkolluar dhe tash më mirë do ta shihte të vdekur! Si qytetarë patriotë të Republikës së Kosovës duhet të shqetësoheni me aleancën dhe tolerancën midis profiterëve të të gjitha llojeve; ndërsa si besimtarë nuk keni asnjë arsye të ndjeheni të stigmatizuar prej askujt; dhe si shqiptarë që besoni në Zot, në vlerat kombëtare apo çfardo vlerash tjera njerëzore, duhet të krenoheni dhe të vazhdoni të ruani harmoninë e besimeve fetare.

(Autori është opinionist i lajmi.net. Qëndrimet e tij nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të redaksisë së portalit)