Pak muaj pasi kompletoi transferimin prej 222 milionë euro nga Barcelona te Paris Saint Germain, Neymar është rikthyer sërish në qendrën e spekulimeve mediatike.Sulmuesi brazilian sipas raporteve të media të huaja, është i pakënaqur me kalimin te skuadra e re, duke rishqyrtuar mundësinë e kthimit në La Liga.

Është Real Madrid që ka shprehur gatishmërinë për t’i ofruar një kontratë të majme, duke e cilësuar si pasues të Cristiano Ronaldos.Për çështjen e Neymar, sot në konferencë për shtyp ka folur trajneri i Real Madrid, Zinedine Zidane.Zidane nuk ka përjashtuar mundësinë e transferimit të 25 vjeçarit, por ka thënë se tani për tani, është i fokusuar me lojtarët që ka në skuadër, të cilët i konsideron më të mirët dhe me të cilët është shumë i kënaqur.“Neymar është shumë futbollist i mirë, kjo është e vërtetë”, nisi përgjigja e Zidanes për gazetarin.

“Kam lojtarët më të mirë këtu në skuadër dhe e njëjta vlen edhe për dhomën e zhveshjes. Mund të punosh dhe të fokusohesh vetëm në lojtarët që i ke në skuadër. Por, sa i përket të ardhmes, kush e di?” ka shtuar Zidane.