Ministria e arsimit dhe shkencës së bashku me Sindikatën e arsimit, shkencës dhe kulturës nënshkruan marrëveshjen për rritjen e përhershme të pagave për punëtorët në shkollat fillore dhe të mesme.

Që nga 1 shtatori, marrëveshja parashikon rritjen e pagave 5% për të gjithë të punësuarit nëpër shkolla. 145 milion denarë janë ndarë nga buxheti për 4 muajt e këtij viti, tha ministri Arbër Ademi.

“Mjetet do të planifikohen në të gjithë buxhetet e ardhshme vjetore, shumë kjo e vlerësuar 580 milion denarë. Me këto marrëveshje caktohet edhe paga më e ulët për nivelin më të ulët e të punësuarve që në shkollat fillore do të arrijë në nivelin e 12.714 denarëve, ndërsa në shkollat e mesme do të jetë 13.117 denarë, deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.

Kryetari i Sindikatës së arsimit, shkencës dhe kulturës Jakim Nedelkov tha se kjo rritje pagash do të jetë motivim i mësimdhënëseve në shkollat fillore dhe të mesme që të rritet niveli i arsimit në gjithë vendin.

“Arsimi është shtylla kryesore në zhvillimin e shtetit, andaj motivimi i njerëzve që punojnë në procesin edukativo-arsimorë ka rëndësi të madhe. Unë shpresoj se në të ardhmen me forcat e përbashkëta dhe përpjekje të pandalshme do të gjejmë zgjidhje edhe për ngritjen e statusit social të të punësuarve në arsim. Në këtë mënyrë jam i bindur se do të ngritët edhe cilësia e arsimit në Maqedoni.” Deklaroi kryetari i Sindikatës ASHK, Jakim Nedelkov.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes formale, përveç ministrit Ademi dhe kryesindikalistit Nedelkov, i pranishëm ishte edhe kryeministri Zaev, i cili tha se kjo rritje e pagave ishte premtim i kahershëm i kësaj qeverie. Nga Ministria e Arsimit njoftojnë se përveç investimeve në stafin pedagogjikë, do të financojnë edhe investimet kapitale nëpër shkolla fillore dhe të mesme. Ndonëse na ndajnë pak ditë nga fillimi i vitit të ri shkollorë, disa renovime që u paralajmëruan dy muaj më parë, ende nuk raportohet për mbarimin e tyre.

Përgatiti Adnan Qaili