Në Gjermani incidenca e infektimit me Covid-19 është në rënie të vazhdueshme. Të premten u raportua se incidenca ra, për herë të parë pas dy muajsh, nën 100: ishte 96.5 të infektuar në javë për 100.000 banorë. Të shtunën (15.05.) kjo incidencë ra madje në 87.3. Kjo u regjistrua me gëzim në mediat gjermane. Në të njëjtën kohë vazhdojnë të konstatohen çdo ditë mbi 10.000 të infektuar të rinj. Dhe për shkak të Covid-19, çdo javë vdesin rreth 1000 vetë.

Megjithëkëtë, gjendja shpirtërore në popull është më e mirë se më parë. Kjo pasi njerëzit kanë mundësi të veprojnë: të mbrohen me vaksinime. Javën e kaluar Gjermania theu rekordin, për Evropën, me numrin e vaksinimeve në një ditë: e kaloi për herë të parë shifrën 1 milion të vaksinuar në ditë. Dhe e ka thyer këtë rekord për disa ditë. Deri të hënën (10.05.) ishin vaksinuar mbi 33.3 përqind e gjermanëve me të paktën dozën e parë të vaksinës. Dhe 9.6 përqind me të dyja dozat. Janë vaksinuar plotësisht mbi 70 përqind e mbi 80 vjeçarëve. Ritmet janë shtuar edhe në grupmoshat e tjera.