Qytetarët e Shkupit edhe këtë vit kanë vendosur që të ngrohen me dru pasi që sipas tyre kështu u bie më lirë, pasi që ngrohja me energji elektrike është shumë e kushtueshme. Mirëpo këta të fundit ankohen se po ballafaqohen me lloj lloj mashtrimesh, duke filluar nga çmimi i pakontrolluar e deri tek mangësia e metrës së paguar dhe asaj të që ua sjellin, shkruanPortalb.mk.

“Ne si familje kemi vendosur që këtë dimër si gjithë dimrat tjerë të ngrohemi me dru, pasi që me rrym kushton shumë. Mirëpo kemi dyshime se ne kemi porositur katër metra dru dhe kur na sollën ishte më pak sasia sesa që kemi paguar, nuk e dimë se ku të ankohem, nuk e dimë cili institucion i ka përsipër këto gjëra”, tha Ferid Ademi, banor.

“Çmimet e ngrohjes me dru janë më të volitshëm mirëpo siç po e shohim nuk ka ndonjë rregull për ndonjë çmim fiks. Secili vendos çmim sipas mendjes. Tani i ke edhe më shtrenjtë sesa para një muaji”, tha Tahir Sadiku, banor.

“Nga pamundësia të ngrohemi me dru, pasi që jetojmë në ndërtesë, e kemi të pajetërsueshme që të ngrohemi me energji elektrike. Është tepër shtrenjtë. Askund në Evropë nuk paguhet mbi një qind euro faturë e energjisë për një banesë 60 metra katrorë”, thotë Urim Saliu, banor.

“Energjia është e shtrenjtë shumë, ne ngrohemi me dru dhe sërish na vjen nga 3 mijë apo 4 mijë denarë në muaj. Nuk e di se pse nuk e ulin çmimin për standardin tonë. Ne nuk kemi rroga të mëdha. Po i paguam faturat ngelim pa bukë”, tha Bajram R., banor.

Edhe pse ekziston mundësia që blerja e druve për ngrohje të bëhet në mënyrë të rregullt nëpërmjet “Pyje Maqedoni”, e cila ofron edhe kontratë shitblerjeje, qytetarët preferojnë të blejnë nga persona privat, të cilët edhe mund të jenë shitës ilegal.