Krijimi i gjyqësorit të pavarur në Maqedoni, nuk është mision i pamundur, por se çështja ka të bëjë me mënyrën se si do të realizohet kjo reformë. Ky është qëndrimi i ekspertes juridike, Margarita Caca Nikollovska, e cila mes tjerash ka shtuar se doemos duhet të bëhet vlerësim i zgjeruar i punës së gjykatësve, prokurorëve si dhe një pjesë të avokatëve.

”Gjithsesi duhet të bëhet rivlerësimi i punës së organeve gjyqësore. Në këtë drejtim mendoj se kjo çështje nuk do të jetë aq problematike të zbatohet, gjegjësisht reformat duhet të bëhet me një qëllim të mirë, duke i detektuar elementet kyçe të vendimeve ligjore që i kanë sjellë gjykatësit apo një pjesë e tyre, në radhë të parë duke u bazuar në dispozitat ligjore dhe ato kushtetuese, dhe nga ana tjetër duhet të shqyrtohet mënyrë e përzgjedhjes së disa gjykatësve të caktuar. Ne kemi gjykatës të cilët janë zgjedhur nga defterët, po ashtu kemi gjykatës të cilët kanë qarkulluar nëpër të gjitha instancat gjyqësore, të cilët me veprimet e tyre kanë treguar jo profesionalizëm, gjykim jo të drejtë gjatë procedimit të lëndëve, respektivisht ne ballafaqohemi me një gjendje të gjykimeve selektive, ku një këshill i vetëm gjyqësor sjell dy vendime të ndryshme. Të gjitha këto pika që i numërova, janë çështje që tregojnë se në situata të caktuara paanshmëria nuk ka qenë prezentë. Qasje problematike gjithashtu kemi edhe gjatë zgjedhjes së gjykatës dhe pjesës së pavarësisësë gjyqësorit. Në kuadër të kontrollit të këtyre elemente mund të vërtetohen parregullsitë dhe në këtë mënyrë të vije deri te shkarkimi i atyre gjykatësve dhe ngritja e procedurave disiplinore”, thotë ish gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, Margarita Caca Nikollovska, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.