Maqedonia hyn në inflacion, do të rriten çmimet e produkteve ushqimore, energjisë elektrike, naftës, tha dje në Klik Plus Aleksandar Nikollovski, nënkryetari i VMRO-DPMNE-së.

“Këto janë të dhënat zyrtare të Bankës popullore e cila e projektoi inflacionin për 1,5%, ndërsa sot doli me numër të korrigjuar prej 2,2%, ndërsa inflacioni real tejkalon 3%. Rriten çmimet e ushqimit, energjisë elektrike, ndërsa pritet që të shtrenjtojë edhe nafta”, deklaroi Nikollovski.

Në lidhje me Kuvendin e bllokuar, Nikollovski tha se do t’i votojnë vetëm ligjet që janë në interes të qytetarëve, duke demantuar se pikërisht partia e tij e ka ngecur pakon e masave për ndihmën e bizneseve.

“Ligji për mbrojtje është ligj për hakmarrje, përkatësisht ndryshimet e ligjit për mbrojtje sillen me qëllim që Radmilla Sheqerinska t’i hakmerret Kovaçkit i cili është anëtar i Komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së për shkak se Kovaçki e kritikon punën e Radmilla Sheqerinskës dhe Ministrisë së mbrojtjes, përkatësisht gjejnë mënyrë se si ta ndryshojnë ligjin dhe ta shkarkojnë Kovaçkin nga puna”, shtoi më tej ai.

Sipas opozitës, zgjedhjet lokale janë mundësi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

A do të jetë Nikollovski pasardhësi i Mickoskit?

“Unë e shoh veten si bashkëpunëtor më të ngushtë të kryeministrit , për shkak se ai do të jetë kryeministër”, tha Nikollovski.