Risto Nikovski, ish ambasador dhe këshilltar i kreut të shtetit, Gjorgje Ivanov, i njohur për opinionin edhe si mbrojtës  i fuqishëm i kauzës nacionaliste maqedonase, në kolumnën e tij të fundit për gazetën “Dnevnik” me titull “Riorganizimi final i Ballkanit”, ka paraqitur, sipas tij, planin e ndërkombëtarëve perëndimor të udhëhequr nga amerikanët, për zhbërjen e shtetit të Maqedonisë, dhe formimin e shteteve të mëdha-kombe, si Shqipëria, Kroacia, Serbia, dhe Bullgaria e Greqia, shkruan Fakte. Sipas Nikovskit, ky plan amerikan ka qenë i fshehur qysh me pranimin e Maqedonisë me emrin e saj kushtetues, por që pastaj u kërkua kompromis me Greqinë për çështjen e emrit, duke kaluar tek Marrëveshja e Ohrit, riorganizimi teritorial me të cilin Kërçova dhe Struga u bënë komuna shqiptare, deri tek përgjimet, kriza politike, Marrëveshja e Përzhinos dhe votimi i 50-70 mijë shqiptarëve për LSDM-në opozitare.

Diplomati Nikovski ka vërejtur se si në rastin kur shqiptarët në numër të madh votuan Boris Trajkovskin për president, edhe tani kur votuan LSDM-në, ata nuk kanë votuar sipas dëshirës së tyre të lirë, por krejt kjo ka qenë një skenar amerikan për realizimin e barazisë së shqiptarëve me maqedonasit, dygjuhësinë dhe federalizimin e vendit, që më pas të vijojë faza e shpërbërjes së plotë të Maqedonisë dhe ndarjes së saj mes fqinjëve që kanë aspirata teritoriale ndaj vendit tonë.

Interesant është fakti që Risto Nikovski shtjellon në tekst, sipas të cilit, përveç luftës së drejtpërdrejtë që ndërkombëtarët (amerikanët) kanë bërë kundër VMRO-DPMNE-së qeveritare, të qëllimshme dhe pjesë të skenarit kanë qenë edhe “sakatimi” i PDSH-së që të mos mund të luajë më tej rolin e opozitës, si dhe dobësimi i BDI-së, e cila, sipas Nikovskit, nuk luan sipas Uashingtonit. Sipas tij, për këtë shkak janë formuar subjektet politike Lëvizja Besa dhe “Aleanca për Shqiptarët”. Këtu autori ndërlidh edhe platformat nacionaliste të subjekteve të reja shqiptare në Maqedoni si dhe takimet për koordinim që menjëherë pas zgjedhjeve ata i realizuan në Tiranë.