Nimetz theksoi se tani është koha për të zgjidhur mosmarrëveshjen mes dy vendeve fqinje, pasi lidershipi i të dyja vendeve ka seriozitet dhe vullnet të mirë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes
Përfaqësuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara në bisedimet për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, Mattheë Nimetz dhe ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, pas takimit të mbajtur në Shkup, deklaruan se te Maqedonia dhe Greqia ka një optimizëm për të zgjidhur mosmarrëveshjen për emrin, por se ka edhe dallime, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën e përbashkët për media, Nimetz theksoi se tani është koha për të zgjidhur mosmarrëveshjen mes dy vendeve fqinje, pasi lidershipi i të dyja vende ka seriozitet dhe vullnet të mirë për të arritur një marrëveshje.
“Në përgjithësi proceset janë duke ecur përpara. Ka një vullnet të mirë nga të dyja anët për të arritur një zgjidhje për këtë problem të ngecur për kohë të gjatë. Unë nuk dua ta nënvlerësoj çështjen, ka qëndrime të ndryshme, por tani është momenti i duhur për t’u zgjidhur dhe unë mendoj se duhet ta shohim atë. Unë besoj thellë se është koha e duhur të tejkalojmë këtë çështje, ta zgjidhim përfundimisht atë dhe të ecim përpara në rajon me dy vendet në miqësi dhe bashkëpunim”, deklaroi Nimetz.
I pyetur nëse propozimet e tij, përveç emrit, përfshijnë edhe një ndryshim të identitetit, Nimetz u përgjigj se “nuk ka dëgjuar asgjë nga ana greke që do të mohonte identitetin e popullit maqedonas”. Sipas tij, qeveria në Shkup është plotësisht e kualifikuar, kompetente për të ruajtur identitetin e popullit.
Ai poashtu theksoi se ka dallime në qëndrimet e të dyja palëve, por u shpreh optimist për zgjidhje të mosmarrëveshjes.
“Nëse nuk bëjmë diçka tani, koha ecën dhe nuk do të qëndrojë në vend, e ardhmja do të jetë e pasigurtë. Nëse nuk ecim përpara tani, nuk e dimë se çfarë do të ndodh pas 20 viteve. Do të ishte një tragjedi e vërtetë për rajonin nëse nuk arrihet një zgjidhje për këtë çështje”, tha Nimetz.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, tha se çështja e emrit është jashtëzakonisht e ndjeshme për qytetarët e Maqedonisë, sepse sipas tij, disa jo vetëm që e ndjekin me kujdes të madh, por edhe me shqetësim dhe zemërim të madh.
Shefi i diplomacisë maqedonase theksoi se ata si qeveri plotësisht e kuptojnë këtë dhe se duan që kjo çështje të zgjidhet në mënyrën që edhe në Maqedoni, por edhe në Greqi, të konsiderohet për mënyrë dinjitoze.
“Për të pasur një zgjidhje, shumë është i rëndësishëm procesi në të cilin na ndihmon ndërmjetësuesi Nimetz. Është shumë me rëndësi për të vepruar me kujdes në publik, megjithatë, sa më shumë bisedojmë për vija të kuqe në publik, aq më pak ka hapësirë për bisedime dhe reduktohet mundësia për të gjetur zgjidhje, që do të jetë e pranueshme për qytetarët në të dyja anët. Ne kemi një vullnet nga ana jonë dhe shpresojmë që pala tjetër të ketë njëjtë vullnet për të gjetur një rrugë”, deklaroi Dimitrov.
Për idetë e ndërmjetësit Nimetz të cilat i paraqiti në kuadër të procesit të negociatave në Neë York, Dimitrov tha se atje ka disa ide të cilat “nuk janë aq të këqija, si dhe ide të cilat nuk janë aq të mira dhe të cilat krijojnë shqetësim”, por se në bazë të faktit që ndërmjetësi Nimetz ka nga Greqia dhe Maqedonia do të shohë se si do të vazhdojë procesi.
I pyetur nëse identiteti mund të jetë objekt i negociatave për çështjen e emrit, ministri Dimitrov në mënyrë të qartë u përgjigj se identiteti nuk mund të jetë subjekt i negociatave, pasi ajo i nënshtrohet një vendimi, por është rezultat i një procesi historik.
“Kjo çështje është shumë më e madhe se unë, edhe nga negociatorët, edhe në përgjithësi nga e gjithë gjenerata e politikanëve të sotëm, dhe ndoshta edhe atyre në të ardhmen. Pra, nëse vijmë në atë pikë nga zgjidhja ku duhet të prekim identitetin, për fat të keq, nuk do të ketë zgjidhje. Megjithatë, do të jetë shumë fatkeqe nëse dy shtete evropiane në 2018-ën nuk janë aq të mëdha këtë ta njohin”, deklaroi Dimitrov.
Ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara në bisedimet për çështjen e emrit qëndron në vizitë në Maqedoni, në kuadër të së cilës takoi presidentin Gjorge Ivanov, kryeministrin Zoran Zaev, ministrin e Jashtëm Nikolla Dimitrov, ndërsa gjatë ditës është paraparë të takojë edhe kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, dhe kreun e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.