Një vit më parë, gazeta “Telegraph” shkroi për një nga zbulimet më të rëndësishmë të shkencës. Bëhej fjalë për një lloj ilaçi i cili u jep mundësinë njerëzve të jetojnë deri në 120 vjet. Por ajo që ishte në formën e një eksperimenti, tashmë duket se ka nisur të konkretizohet.

Testimet në lidhje me ilaçin e ri kanë nisur dhe shkencëtarët besojnë se ky është sekreti i rinisë së përhershme. Medikamenti i ri jo vetëm që frenon apo ngadalëson procesin e plakjes, por mund të shërojë edhe sëmundje si Alzheimer dhe Parkinson. Elementi kryesor në këtë përbërje është metformina, e cila përdoret dhe për të sëmurët me diabet. Metformina rrit numrin e molekulave të oksigjenit që çlirohen në qelizë, duke ndikuar në jetëgjatësi.

Grupi i shkencëtarëve, që drejtohet nga profesori skocez Gordon Lithgow, ka marrë autorizimin e Agjensisë Amerikane të Ushqimit dhe Ilaçeve. Një gjë e tillë përforcon akoma dhe më shumë besimin se ketë herë nuk bëhet fjalë për një fantazi!