A kanë nisur partitë opozitare të kalkulojnë me datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare? Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në emisionin “Click Plus” të TV21 nuk e përjashtoi mundësinë që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në tetor.

Për VMRO-DPMNE-në tetori është i pranueshëm për zgjedhje, madje thonë se sa më shpejt aq më mirë. Komiteti Ekzekutiv i partisë mbrëmë vendosi që më 18 qershor të protestohet para Qeverisë, me qëllim që, siç theksojnë, të rrëzohet kjo Qeveri dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“Jemi duke ndërmarrë hapa për të apeluar se zgjedhjet janë zgjidhje dhe bëjmë thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më shpejt që të jetë e mundur sepse qeveria e Kovaçevskit është qeveri jolegjitime, kështu që të gjitha propozimet që kanë për qëllim përshpejtimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të binte kjo qeverisje jopopullore, është ajo që ne mbështesim dhe për të cilën përpiqemi”, tha Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.

Por LSDM-ja ripërsërisin se mund të ketë vetëm zgjedhje të rregullta.

“Protesta është një e drejtë demokratike e opozitës. Por fakti që Mickoskit i duhet një muaj i tërë për të organizuar një protestë flet për problemet e brendshme që ai i ka për ta mbajtur karrigen në pallatin e bardhë. Zgjedhjet parlamentare do të mbahen në baza të rregullta dhe do të jenë në vitin 2024 e VMRO-DPMNE dhe Mickoski përsëri do të mposhten dhe do të mposhten në ato zgjedhje”, tha Darko Kaevski, LSDM.

Krahas paralajmërimeve për protesta, VMRO-DPMNE është duke bërë bllokadë aktive në Kuvend, me qëllim që vendi të shkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare.