Një deputet aktual nga radhët e VMRO-DPMNE-së ka kërkuar që të anëtarësohet në partinë “Të Bashkuar për Maqedoninë”, madje edhe ta përfaqësojë atë në organin ligjvënës.
Këtë e deklaroi Lube Boshkovski, lideri i partisë “Të bashkuar për Maqedoninë”, i cili në intervistën e mbrëmshme për TV21 shtoi se nuk ka dashur të pranojë në parti një njeri të infektuar me siç tha “gruevizmin”. Në këtë mënyrë, Boshkovski e ka refuzuar ofertën që partia e tij të përfaqësohet në Kuvend.

“Ne nuk kemi për qëllim që të pranojmë anëtarë të cilët gjatë gjithë kësaj periudhe i kanë dhënë mbështetje të parezervë dhe kanë qenë pjesë e asaj garniture. Madje ne nuk i pranojmë në partinë tonë as personat që Gruevski i ka caktuar për kryetarë të komiteteve vendore”, u shpreh Lube Boshkovski, Kryetar i “Të bashkuar për Maqedoninë”.

TV21 kërkoi përgjigje nga VMRO-DPMNE, megjithatë nga kjo parti u përgjigjën se pres-konferenca është tematike dhe mund të parashtrohen pyetje vetëm për projekte dhe reforma të realizuara në të kaluarën.

“Kjo është tribunë tematike dhe do t’u përgjigjem vetëm pyetjeve të lidhura me temën. Përgjigjen për këtë do ta kërkoni në vend tjetër. Në qendrën për komunikime”, tha Marija Andonovska, nga VMRO-DPMNE.

Nga Qendra për komunikime e VMRO-DPMNE-së thonë se pohimet e Boshkovskit janë të pavërteta, gjegjësisht se ai flet me gojën e Zoran Zaevit.

Lideri i partisë “Të bashkuar për Maqedoninë” zbuloi gjithashtu se është takuar me mandatarin Zoran Zaev dhe se nuk e ka problem që kuadrot e tija t’ia ofrojë për – siç tha – demokratizimin e vendit. Ai nuk e përjashtoi mundësinë për të bashkëpunuar me partitë tjera në prag të zgjedhjeve lokale.

“Ne jemi të vetëdijshëm se këto janë dy ideologji politike krejtësisht të ndryshme, por ne tani po i pajtojmë njerëzit, e jo ideologjitë. Gjithashtu ne jemi të vetëdijshëm se një ditë, në skenën politike maqedonase do të përplasen partia “VMRO për Maqedoninë” dhe LSDM. Por ajo do të jetë një luftë politike e pastër dhe me argumente”, shtoi Boshkovski.

Në intervistën dhënë TV21, Boshkovski vlerësoi se Maqedonia po shkon në rrugë të duhur dhe se ekziston kapacitet për dalje nga kriza. Si shembull për këtë, ai përmendi faktin se një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare votuan për LSDM-në , gjë që sipas tij, flet se shqiptarët duan bashkëjetesë për një të nesërme më të mirë.