Për kundërshtarët e Albin Kurtit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të jetë edhe një argument shtesë në përpjekjet e kahershme të tyre për ta shmangur atë nga skena politike. Vetëvendosja mund të mos e pranojë vendimin, por protestat e dhunshme janë një grackë e rrezikshme, në të cilën nuk duhet rënë.

Imer Mushkolaj

Duhet të jesh optimist i madh se institucionet e vendit bëjnë punë të mirë e korrekte, për të besuar se një proces i nisur për krijimi e një qeverie të re do të përfundonte ndryshe nga vendimi që mori Gjykata Kushtetuese. Mocioni i mosbesimit, i nisur nga LDK’ja, me përkrahjen e presidentit Hashim Thaçi, nuk u ndërmor që të shkohet në zgjedhje, por të krijohet një qeverie e re. Në funksion të këtij qëllimi duhet parë edhe vendimin e gjykatës.

Kushtetuesja ka zgjedhur ta arsyetojë në tërësi dekretin e Thaçit për Avdullah Hotin mandatar, duke shkaktuar reagim të ashpër nga Vetëvendosja dhe paralajmërime për mosnjohjen e vendimit.

Nëse vendimi i gjykatës krahasohet me atë të vitit 2014, krijohet përshtypja se ky institucion vepron varësisht nga fakti nëse parti fituese është apo nuk është PDK’ja. Vendimi i marrë këtë javë do të thellojë ndasitë politike e shoqërore në vend dhe do të hedh hije dyshimi mbi procesin e çfarëdo qeverie që krijohet.

Vetëvendosje ka paralajmëruar se do të përdor të gjitha mjetet e lejueshme demokratike për kundërshtimin e vendimit, pa bërë të ditur se cilat janë ato. Protestat shihen si një mënyrë për të shprehur mospajtimin.

Partia e Albin Kurtit mund të protesojë, por nuk mund ta ndalojë zbatimin e vendimit, respektivisht krijimin e një qeverie të re. Njësoj opozita e vitit 2016 nuk mundi ta ndalojë zgjedhjen e Hashim Thaçit president.

Vendimet e gjykatës duhet respektuar, por për to duhet diskutuar haptas dhe në mënyrë kritike. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë zgjedhur me votat e Kuvendit të Kosovës. Mënyra e zgjedhjes së tyre bën që disa nga ta të jenë edhe njerëz partish politike, për të cilët është utopike të presësh se do të votojnë kundër interesave të subjekteve të veta. Kështu do të jetë deri sa të ndryshohet mënyra e zgjedhjes së tyre.

Gjatë gjithë kohës në pritje të vendimit të gjykatës dhe jo vetëm, Hashim Thaçi është sjellë më shumë si kryetar i një partie politike, sesa si president. Gjuha e përdorur nga ai ndaj Vetëvendosjes dhe njerëzve të kësaj partie vetëm sa tregon se ai nuk rrezikohet nga askush tjetër në skenën politike, përveç Albin Kurtit.

Nëpërmjet një diskursi nxitës e inflamator, Thaçi është përpjekur të ndikojë në tensionimin e situatës dhe të shkaktojë mosdurueshmëri që mund të përfundojë me protesta të dhunshme. Një grackë kjo e rrezikshme, në të cilën mund të futet Vetëvendosja.

Përpjekjet e rivalëve të Vetëvendosjes ndër vite kanë qenë që kjo parti të mënjanohet nga skena politike. Rasti i sulmit në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës dhe procesi gjyqësor më pas tregojnë për një përpjekje të dështuar drejt qëllimit që ajo të shpallet terroriste.

Njësoj ndodhi me gjykimin e anëtarëve të organizatës “Syri i popullit”, ku në dëshminë e tij Hashim Thaçi provonte të bënte lidhje të qarta të të akuzuarve me kreun e Vetëvendosjes, madje bënte thirrje që hetimet të zgjerohen. Muajt e fundit, ndërkaqë, Vetëvendosja dhe Kurti ishin në shënjestër të rivalëve politikë që i cilësonin si antiamerikanë. Mund të kenë dështuar përpjekjet e tilla, por jo edhe ato për ta cilësuar Vetëvendosjen parti antikushtetuese dhe që do të prodhojë kaos institucional e shoqëror.

Vetëvendosja dhe Albin Kurti tash ndodhen para një sprove të madhe. Zbatimi i vendimit të gjykatës nuk mund të ndalohet dhe nuk duhet të provohet të ndalohet, por Vetëvendosja e ka të drejtën të protestojë kundër dhe të kërkojë zgjedhje të reja.

Protestat e dhunshme do t’i bënin një favor të madh rivalëve politikë të Albin Kurtit. Pas përvojës, ndonëse të shkurtër, si kryeministër, si institucionalist, Kurti nuk duhet t’i kthehet sërish petkut të një aktivisti.

* * *

Qeveria me Avdullah Hotin kryeministër mund të krijohet shpejt, por nuk mund të pritet se do të marrë “vendime të mëdha”. Koalicioni i ri mund ta ketë në fokus arritjen e marrëveshjes me Serbinë, por presidenti Thaçi do të vazhdojë të jetë protagonisti kryesor.

Sidoqoftë, tranzicioni i pushtetit në mënyrë të qetë është qenësor në ruajtjen e funksionimit të shtetit. Kështu ka ndodhur deri tash dhe nuk ka pse të ndodh ndryshe. Natyrisht, palët e pakënaqura mund ta vazhdojnë betejën në kërkim të të drejtës së tyre, respektivisht organizimit shpejt të zgjedhjeve të tjera. Nuk do të jetë e lehtë për Hotin dhe LDK’në që të qeverisin në këtë kohë thyerjesh të mëdha. Madje, nuk është kurrfarë privilegji për ta. Por, kështu kanë dashur dhe iu është dhënë mundësia. Hija e dyshimeve dhe mosbesimit do t’i ndjekë mbrapa.