Nē kohën kur pritej të konsolidohej Agjencioni për Ligjin e gjuhëve dhe të formohej Inspektoriati për zbatimin e këtij Ligji në jetën praktike, një lajm i keq nga Venediku, paralajmëroi se Ligji nē fjalë u paska dhënë shumë ,,pakicēs”shqiptare, prandaj ka nevojē pēr disa ndryshime, në dëm të tyre. Kjo porosi e Komisionit të Venedikut, drejtuar autoriteteve qeveritare, duhet analizuar mirë, për të zbuluar se kush janë sponsorizuesit të cilët kanë gisht në këtë skandal, që godet rëndë gjuhën shqipe, duke e reduktuar në masë të madhe mundësinë e përdorimit të saj.

Me reagimet e Kryeministrit Zaev dhe Ministres së Drejtësisë, zonjës Deskoska, për këtë propozim version, edhe pse jozyrtar, sikur e paralajmëruan se janë të gatshëm të heqin dorē nga Ligji , që u miratua me shumicë votash në Parlamentin e Republikës së Naqedonisë së Veriut. Reagimi i Zevendës Kryeministrit Bujar Osmanit ishte pak më ndryshe, por jo edhe aq këmbëngulës, për t’u thënë kolegëve te vet bashkëqeverisës se çështja e Ligjit jështë punë e kryer dhe se duhet zbatuar sa më parë. Në pjesëm e reagimit të tij se megjithate, do i shqyrtojmë vërejtjet e këtij Komisioni, sikur paralajmëroi njē zbrapsje edhe të pjesës shqiptare të kësaj Qeverie.

Me gjithë njohuritë modeste që kam në fushën e drejtësisë, mendoj se dërgimi komplet i Ligjit në këtë asociacion evropian, është ,,thikë pas shpinë” për shqiptarët, sepse fillimisht nga ,,Venediku” u kërkua interpretim juridik, vetëm për dy pikat kontestuese që janë : përdorimi i gjuhës shqipe në banknota dhe në uniformat e policisë. Nuk ka asnjëfarë logjike që me aq vonesë të kontestohet një ligj i miratuar në mënyrë të rregulltë dhe të shpallur në Fletoren zyrtare.Të gjithë e dinë se një ligj të miratuar në mënyrë të rregulltë në Parlament, mund ta anulojë vetëm Gjykata kushtetuese, nëse konstaton se nuk është në frymën e Kushtetutës. Loja e ndytë dhe dyftyrësia e LSDM-së, në krye me Zaevin, Kryetarin e Qeverisë, pritet që së shpejti të dalë në shesh, ndërsa BDI të gjendet para një sprove të re; të ngulë këmbë në paprekshmërinë e Ligjit të miratuar dhe të angazhohet për zbatim të tërësishëm, apo të lëshojë pe, me arsyetimin se vërejtjet vijnë nga një asociacion evropian dhe se ato gjenden para aktit të kryer.

Nëse partia shqiptare në pushtet dhe argatët shqiptarë të LSDM-së, nuk janë në gjendje t’i kuptojnë këto dredhi, të pozitës dhe të opozitës maqedonase, apo të shtiren se nuk i kuptojnë, shqiptarët e këtij shteti dhë partitë shqiptare opozitare, nuk do rrinë duarkryq, por me tërë mekanizmat demokratike, që ua garanton edhe Kushtetuta e këtij vendi, nuk do lejojnë ndryshime jo legjitime të Ligjit, në dëm të gjuhës shqipe dhe do e pamundësojnë një aventurë të këtillë që mund të ketë pasoja të paparashikueshme për paqen dhe stabilitetin e vendit, në prag të vendimit të BE-së për hapjen e negociatave aq të pritura.

Vet fakti se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, i porositi ,,venedikasit”që mos të nguten në sjelljen e vendimit përfundimtar, tregon se kjo Qeveri është e vetëdishme për pasojat që mund të ketë një vendim i këtillë, pikërisht në prag datës kur pritej ngjyra jeshile për këto negociata për pranim në BE. Disponimi pro shqyrtimit dhe respektimit të ndryshimeve nga Kryeministri , që e paralajmëron ky Komision, e që e zhveshin dukshëm Ligjiin për përdorimin e gjuhës shqipe, nga shqiptarët duhet nënkuptuar si ogur i zi, të cilit, tani më ka gjasa t’ia mbyllë derën edhe Gjykata Kushtetuese, me një argument më tepër, se Ligjin si të këtillë e konteston edhe Komisioni i Venedikut.

I tërë ky qull i pa kripë që po zihet në kuzhinat e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, ku për fat të keq janë të përzier edhe individë nga ky Komision, ka për qëllim arsyetimin e zbrapjes së Qeverisë aktuale nga propozimi i dikurshëm që ky ligj i harmonizuar nga të gjithë ministrat, të miratohej edhe në Parlament, edhe pse i refuzuar nga Kryetari i Shtetit, Ivanov. Qëndrimi korrekt i Kryeministrit që në kohën kur po sillej dhe miratohej ligji, u përshëndet nga të gjithë shqiptarët, si duket, shikuar nga ky këndvështrim, paska qenë vetëm një mashtrim, me qëllim, forcimin e pozicioneve të tij në Qeverinë, e cila as që do formohej ndonjëherë pa përkrahjen dhe votën e gjithē shqiptarëve.

Ndryshimet eventuale që mund të vijnë përmes sugjerimeve të Komisionit të Venedikut, me theks në gjyqësor dhe në zbutjen e dënimeve për mos respektim të Ligjit, edhe pse janë vetëm këshillëdhënëse, e jo obligative, si duket, do të mirëpriten, nga të dyja forcat më të mëdha politike maqedonase. Këtë zbrapsje eventuale të LSDM-së dhe kryeministrit Zaev, duhet konsideruar si lëshim pe para opozitës maqedonase, që ka për qëllim zbutjen e raporteve të acaruara dhe afrimin me Mickovskin, për shkak të kompromisit në sjelljen e Ligjit për Prokurorinë, dhe frikën se ndoshta afera ,,Zhvatja”mund ta metastazojë në masë të madhe edhe terrenin e tij, përfshirë edhe vet atë.

Në tërë këtë orvatje për atentat të ri kundër gjuhës shqipe, tani shtrohet pyetja se si do veprojnë dqiptarët që janë në bashkëqeverisje, dhe Drejtori i Agjensisë, Ylber Sela, dhe sa do jenë këmbëngulës në mbrojtjen e vlerave të një ligji, që edhe ashtu pati nismë të vështirë dhe rrugëtim me plot ndërkëmbëza. Nëse edhe kësaj radhe qeveritarët dhe parlamentarët shqiptarë, do pajtohen me ndonjë ndryshim të Ligjit, siç mund të jetë zvoglimi i gjobave dhe mospërzierje e tij në punët e gjyqësorit, do ishte më mirë që me kohë t’i pëgatisin valixhet, duke mos i pritur as edhe zgjedhjet e parakohshme.

Megjithate unë besoj se nuk do ndodhë një gjë e këtillë dhe se partia shqiptare në pushtet nuk do shkojë në vetvrasje politike, kur dihet se të arriturën më të madhe si reztat të luftës e konsideron ,,Marrëveshjen e Ohërit”, që shtyllë kryesore e kishte zyrtarizimin e plotē të gjuhës shqipe dhe punësimin e drejtë dhe adekuat të shiptarëve, dy të arriturat më të mëdha sipas tyre, që nuk po zbatohen edhe pas plot 18 viteve.