Pavarësisht këmbënguljes së Qeverisë, Athina Zyrtare kundërshton fuqishëm propozimin “Republika Ilinditase e Maqedonisë” si zgjidhje e mundshme. Shefi i diplomacisë greke, Nikos Kocias u shpreh i prerë se zgjidhja e pranueshme mund të arrihet vetëm nga propozimet e ndërmjetësit Metju Nimic, përveç propozimit “Republika e Maqedonisë (Shkupi)”. Kocias këto komente i bëri pas takimit me sekretarin amerikan të shtetit Majk Pompeo dhe zyrtarët e tjerë të lartë amerikan.

Ne e mbështesim nevojën për të pranuar një nga emrat që propozoi Nimic. Nuk pajtohemi, siç e dini, me emrin e pestë nga propozimet e tij. Dhe të ecim përpara me miratimin e një plani strategjik për bashkëpunim miqësor me këtë vend në të ardhmen, me emrin e saj të ri – deklaroi Nikos Kocias, Ministër i Jashtëm i Greqisë.

Pa zbuluar se cila ishte porosia e SHBA-ve, Kocijas tha se Greqisë nuk i bën askush presion, pasi në mënyrë aktive i qaset zgjidhjes së kontestit. Ndërsa DW shkruan se kancelarja gjermane, Angela Merkel e cila vazhdimisht interesohet për çështjen e emrit, ka telefonuar mbrëmë kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras.

Nga Berlini megjithatë nuk zbulojnë se cila ishte tema e bisedës. Ndërkohë partneri qeveritar, Panos Kamenos dhe njëherit Ministri i Mbrojtjes ia bëri të qartë Ciprasit se partisë që drejton ai nuk i bëhet vonë nëse emri eventual do të përmbajë fjalën “Ilinden” apo “E epërme”.

Ai u zotua se nuk do të lejojë që në emër të qëndrojë termi “Maqedoni”. Kamenos madje për mediat greke shprehu skepticizëm rreth zgjidhjes së kontestit, duke thënë se Shkupi asnjëherë nuk do të mund ta ndryshojë Kushtetutën. Nga ana tjetër, një pjesë e intelektualëve kanë ri-aktivizuar “fushatën”, duke kërkuar që populli grek të vendosë në referendum nëse termi “Maqedoni” do të jetë pjesë e emrit të ardhshëm eventual.

Ministrat e Jashtëm Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocias të enjten dhe premten pritet të vijojnë bisedimet me ndërmjetësimin e OKB-së Methju Nimic në Nju Jork.