Policia britanike ka arrestuar një person me pasaportë shqiptare, i dyshuar se ka lidhje me sulmin terrorist të ndodhur para disa ditëve në Mançester, ku humbën jetën 22 persona.

Sipas mediumeve angleze, policia ka arrestuar në Uigan një shtetas të Evropës Lindore me pasaportë shqiptare, transmeton MIA.

Personi në fjalë është duke u marrë në pyetje së bashku me shtatë të tjerë, të dyshuar gjithashtu se kanë informacione për sulmin.

Emri apo mosha e të arrestuarit nuk bëhet e ditur, por mediat britanike raportojnë se në shtëpinë ku ndodhej shtetasi me pasaportë shqiptare ka hyrë skuadra antibombë dhe banorët aty pranë janë evakuuar. Policia njoftoi se kishte dijeni se brenda shtëpisë kishte sende të dyshimta.