Kryeprokurori Adriatik Llalla, kur komentoi kritikat e ambasadorit amerikan, Donald Lu, tha se ‘është një sulm sorosian’.
Kohët e fundit, gjithmonë e më shumë po dëgjojmë të lakohet emri i miliarderit George Soros në nivele të larta të shtetit shqiptar.
Përse ndodh kjo?
Dikush mund të thotë se kjo vjen për shkak se politika shqiptare po mundohet të imitojë politikën amerikane, ku ka spekulime se Soros luftoi ashpër që Donald Trump të mos zgjidhej president.
Radio “Evropa e Lirë” thotë se anti-sorosizmi po përhapet në rajon.
Në Maqedoni është themeluar një lëvizje kundër Sorosit dhe vetë Nikola Gruevski ka folur për “de-sorosizmin” e vendit.
Kjo duket e habitshme pasi shumë njerëz të partisë së tij kanë lidhje me fondacionin e Sorosit.
Pse ndodh kjo?
Arsim Zekoli, një ekspert në marrëdhëniet me publikun, thotë për REL: “Gruevski e sheh Sorosin si babain e liberalizmit dhe si një kërcënim të madh për mënyrat autoritare të drejtimit të vendit”.
Në fund të vitit të shkuar, Soros publikoi një ese të gjatë me titullin: “Shoqëria e hapur duhet mbrojtur”.
“Jam një hungarezo-hebre 86-vjeçar, që jam bërë qytetar i SHBA në fund të Luftës së Dytë Botërore. Kam mësuar në moshë të re sa e rëndësishme është se çfarë regjimi politik mbizotëron në një vend. Përvoja e jetës sime është pushtimi i Hungarisë nga Gjermania e Hitlerit në vitin 1944”.
Pas luftës, ai u arratis nga Hungaria për në Londër. Si student në Angli, ai lexoi Karl Poperin dhe nën ndikimin e tij zhvilloi filozofinë e tij.
“Dallova dy lloje regjimesh politike: Ato në të cilat njerëzit i zgjedhin liderët e tyre, të cilët më pas mendohet se do kujdesen për interesat e elektoratit; dhe të tjerët, ku liderët kërkojnë të manipulojnë subjektet e tyre për t’u shërbyer interesave të tyre. E quajta llojin e parë, shoqëri e hapur; të dytin, shoqëri e mbyllur”.
“Mendoj se momenti aktual në histori është shumë i dhimbshëm. Shoqëritë e hapura janë në krizë, dhe forma të ndryshme të shoqërive të mbyllura- që nga diktaturat fashiste deri tek shtetet mafioze- janë në rritje. Si mund të ndodhë kjo? I vetmi shpjegim që gjej është se liderët e zgjedhur kanë dështuar për të plotësuar pritshmëritë legjitime të votuesve dhe aspiratat e tyre dhe ky dështim ka bërë që elektorati të jetë i pakënaqur me versionin mbizotërues të demokracisë dhe kapitalizmit. Shumë e thjeshtë, shumë njerëz ndjejnë se elitat kanë vjedhur demokracinë e tyre”.
Megjithatë, në fund të shkrimit të tij, Soros thotë se është i bindur se demokracia do rezistojë, jo vetëm në SHBA, por edhe në Europë, e cila është në rrezikun e ndikimit rus.