Ballina Kuriozitete “Njeriu i shpellës” ofron kurse mbijetese!

“Njeriu i shpellës” ofron kurse mbijetese!

Të jetosh në shekullin e 21-të, por si një neandertal dhe sigurisht që për këtë të duhet një kurs!

Guido Camia është “njeriu modern i shpellës” ai është i gatshëm të ofrojë kurse si të ndizni zjarrin me mjete rrethanore, të mbijetoni me një dietë insektesh apo se si të ndërtoni një strehë në pyll.

37-vjeçari është me profesion kuzhinier, por ky profesion duket se nuk është aspak për të. Tani ai jeton duke ofruar kurse mbijetese në epokën e gurit në Alpet italiane.

Nëse do ta vizitoni atë në një fundjavë, mund ta gjeni duke u ngjitur në shkëmbinj, duke peshkuar i zbathur apo me një shtizë në dorë e i veshur me lëkurë kafshe, ndërsa duket si nga “The Flintstones”.

Guido thotë se neandertalët, të cilët jetuan nga 400 mijë deri në 40 mijë vjet më parë, ishin “shumë inteligjentë”. “Ata zbuluan zjarrin, ndërsa ishin në gjendje të përshtateshin me të gjitha kushtet e motit. Ata ishin nomadë që lëviznin shumë. Jetuan në shpella, por gjithashtu dinin të ndërtonin edhe streha të vogla”, thotë ai.

Për një çmim fillestar prej 80 eurosh për person për një natë, kursi bazë përfshin akomodimin në një strehë. “Unë u tregoj atyre si jetuan neandertalët, çfarë hëngrën, si ndezën zjarrin, si e përdornin një shtizë. Unë u tregoj atyre se si të përdorin pajisjet bazë për të gatuar”, thotë italiani që ka “braktisur” jetën moderne për atë të neandertalit.

SHPËRNDAJE