Trokitjen e vjeshtës bëhet dita ditës më e fortë dhe shumë shpejt ajo do të vijë mes nesh, jo vetëm me uljen e temperaturave por edhe me një sërë ushqimesh shumë të shëndetshme. Disa prej tyre janë mollët dhe kungujt por vjeshta është më bujare se kaq.

Në këtë artikull do të mësoni katër prej produkteve më të freskëta dhe ushqyese të vjeshtës.

Patëllxhani
Patëllxhani i purpurt është padyshim një nga perimet më të mira të cilat falë bujqësisë moderne i shijojmë në çdo stinë. E megjithatë, vjeshta është stina e duhur për të shijuar me të vërtetë patëllxhanin. Patëllxhani është një ushqim shumë i mirë për trurin. Përbërësit e tij mbrojnë qelizat e trurit nga oksidimi por edhe luftojnë qelizat kancerogjene. Nëse patëllxhanin do e skuqni në shumë vaj ose do e mbushni me djathë, ai do të jetë i dëmshëm për shëndetin. Nëse zgjidhni gatimin e duhur, siç është pjekja, atëherë do të merrni përfitime të mëdha prej tij.

Kungulli i Verdhë
Ky thesar i vjeshtës ofron një ngjyrë dhe shije që të ngroh shpirtin. Por, kungulli është i mirë për të gjithë organizmin sepse e gjithë ajo ngjyra e verdhë që shikoni në brendësi të tij, është beta karoteni i cili mirëmban sytë dhe kockat. Përpos beta karotenit, kungulli është i pasur edhe me vitaminën C dhe fibrën aq të nevojshme për tretjen.

Shega
Shegën e duam të gjithë. Kokrrat e saj si rubini janë plot shëndet, veçanërisht për zemrën. Konsumi i rregullt i shegës pengon rritjen e nivelit të kolesterolit, pastron enët e gjakut, përmirëson qarkullimin e tij dhe mbron zemrën në tërësi.

Preshi
Preshi është pjesë e të njëjtës familje botanike me qepën dhe hudhrën. Konsumi i preshit e furnizon organizmin me vitaminën K e cila pengon shfaqjen e sëmundjeve kancerogjene. Kjo vitaminë është gjithashtu mirëbërëse për rritjen e ndjeshmërisë së trupit ndaj insulinës por edhe për kockat. Konsumi i preshit mbron enët e gjakut nga oksidimi por edhe pengon aterosklerozën.