“Noma”, restoranti i shqiptarit nga Tetova, Rene Rexhepi, është zgjedhur restoranti më i mirë në botë për vitin 2021. Restoranti që ndodhet në Kopenhagë të Danimarkës u vlerësua me çmimin e parë në mesin e 50 restoranteve më të mira në botë.

Noma kishte qenë në majë të klasifikimeve edhe më herët në vitet 2014, 2012, 2011 dhe 2010.

Konkursi ‘50 restorantet më të mira në botë’, i cili u zhvillua në Antwerp, Belgjikë, nga data 3-5 tetor, vlerësoi “Noman” për menynë e saj novatore dhe përdorimin e përbërësve të veçantë ushqimorë.
“Asnjë udhëtim në Noma nuk është kurrë i njëjtë, me Rene Rexhepin dhe ekipin e tij duke kërkuar vazhdimisht për përbërës të papritur dhe duke i kthyer ata në pjata të bukura”, thuhet në dedikimin e çmimit për fituesin.
Më herët gjatë këtij viti, “Noma” u vlerësua me tre yje “Mischelin”. “Mishelin” vuri në dukje ‘lidhjen e fortë të restorantit me natyrën, duke përdour përbërës të pazakontë sezonalë në pjata krijuese dhe komplekse’.

Në intervistën e tij të parë pasi “Noma” mori çmimin e madh, Rene Rexhepi tregoi se sa i rëndësishëm ishte ky vlerësim për të dhe stafin e tij pas një sfide 18-mujore në këtë industri si pasojë e pandemisë.

“Është e mahnitshme, pa pasur nevojën të ndihet si një rekord i thyer. Është e mahnitshme veçanërisht në këto momente”, tha Rexhepi. Ai shtoi se për shkak të COVID-19, ceremonia e marrjes së çmimit ishte e para prej një kohe të gjatë që gjendej në një grumbull aq të madh njerëzish.

“Bota ngadalë po mësohet se si të jetojë me këtë virus dhe ndoshta bashkimi ynë sot është një ogur për të ardhmen!”, tha fituesi i çmimit të madh. \ euronews