Norvegjia do të heqë pothuajse të gjitha masat anti-COVID pasi nuk sheh më një kërcënim të madh shëndetësor për qytetarët, edhe pse varianti omicron është ende duke u përhapur në kombin nordik.
“Ne po heqim pothuajse të gjitha masat e coronavirusit”, tha kryeministri Jonas Gahr Stoere në një konferencë shtypi.
“Pandemia e coronavirusit nuk është më një kërcënim i madh shëndetësor për shumicën prej nesh. Virusi Omicron shkakton sëmundje shumë më pak serioze dhe ne jemi të mbrojtur mirë nga vaksinat”.
Tutje, ai tha se norvegjezët janë shumica të vaksinuar dhe se përqindja e qytetarëve në spital ka mbetur e ulët pavarësisht përhapjes së variantit omicron.
Që nga e shtuna, norvegjezëve nuk u kërkohet më të mbajnë maska në vendet e mbushura me njerëz dhe rregulli i distancës prej një metër është hequr.
Në dhjetor, Norvegjia hyri në bllokim të pjesshëm për të kufizuar përhapjen e variantit omicron.