Që nga shpallja e orës policore gjithsej 391 qytetarë nuk e kanë respektuar këtë masë të Qeverisë, përfshirë këtu edhe mbi 60 raste të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit. Nga rastet e fundit, 11 prej shkelësve janë minoren dhe 6 të moshës mbi 67 vjeç.

Zëvendësministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, thotë se duke pasur parasysh që masa është shpallur vetëm para pak ditësh, numri i përgjithshëm i shkelësve të të njëjtës është i lartë.

“Për personat që janë deri në moshën 18 vjeçare, sigurisht që edhe ata do të kenë përgjegjësi kundërvajtëse. Ekziston edhe e ashtuquajtura përgjegjësia solidare, edhe e prindërve të tyre, për shkak të pakujdesisë prindërore. Është procedurë kundërvajtëse që parashihe dënim me gjobë. Është neni 205 i Kodit Penal që përcakton inkriminimin e veprimeve që çojnë deri tek përhapja e sëmundjes ngjitëse dhe në bazë të këtij neni parashihet dënim me burg prej 1 deri në 3 vjet. Kurse neni tjetër, 206, që parasheh mos respektim të urdhrave të organeve shtetërore. Këtu dënimi është prej 2500 euro deri një vit burg. Vështirësi kemi hasur edhe në Manastir, Veles, Prilep, Strumicë ku ka më shumë shkelës të orës policore”, pohoi Agim Nuhiu.

Në shumicën e rasteve qytetarët që shkelin orën policore, refuzojnë t’u binden autoriteteve, duke shfaqur vet besim që ata nuk do të preken nga virusi. Ndërkohë punonjësit e MPB monitorojnë gjatë tërë kohës 8 objektet hotelerie, prona juridiko-private, të cilat shteti i ka shndërruar në karantinë për 322 qytetarët që duhet të qëndrojnë në izolim te detyruar.