Presidenti i Turqisë dhe kryetari i AK Partisë, Recep Tayyip Erdoğan është shprehur se “Me territorin që ne hapëm për veten në rajonin tonë me operacionin ‘Mburoja e Eufratit’ për të vendosur sigurinë në Idlib ne po përpiqemi që me një hap të ri ta përparojmë edhe më tej atë. Sot për shembull në Idlib ka një ofensivë serioze dhe kjo do të vazhdojë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan ka mbajtur një fjalim hyrës në mbledhjen e 26-të Konsultuese dhe Vlerësuese të AK Partisë me temë “Të gjithë së bashku drejt objektivave të mëdha” e cila është zhvilluar në qytetin Afyon.

Duke vënë në dukje se nuk mund ti refuzojnë të ardhurit nga Idlibi i Sirisë, Erdoğan tha se “Vëllezërit tanë që vijnë nga Idlibi, që largohen nga Halepi, ne pavarësisht çdo gjëje nuk mund ti braktisim. Ne jemi në një situatë ku duhet t’iu zgjasim dorën atyre. Aktualisht një hap i tillë është hedhur dhe vazhdon. Ne nuk do të lejojmë kurrë formimin e një korridori terrorist në kufijtë tanë me Sirinë”.

Pyetjes nëse “ndodhet në Idlib ushtria turke”, Erdoğan i është përgjigjur se “Aktualisht këtë punë po e kryen Ushtria e Lirë Siriane, ende ne nuk kemi ushtarë atje.”

Ndërsa në lidhje me referendumin e paligjshëm të Qeverisë Rajonae Kurde të Irakut, Erdoğan theksoi: “Ata që sot vrapojnë drejt ëndrrave të rinisë me kuajt e huaj të të tjerëve, së shpejti do të përballen me fytyrën e hidhur të së vërtetës.”

Në lidhje me ndryshimet në strukturën e AK Partisë Erdoğan është shprehur: “Rezistenca ndaj ndryshimit është si vozitje kundër rrymës. Pikërisht duke u nisur nga kjo e vërtetë kam shprehur dhe shpreh nevojën për rinovim në institucionet dhe bashkitë tona. Në kuadër të procesit të kongresit po rinovojmë në masë të rëndësishme strukturat e institucioneve tona. Gjithashtu jemi në përgatitje për të hedhur hapat edhe nëpër bashki. Kjo nuk është një mënyrë e shpikur nga unë personalisht apo nga partia jonë. Në të vërtetë kjo është një kërkesë e popullit tonë. Ne këtë kërkesë për procesin e rinovimit, nevojën për ndryshim jemi të detyruar ta realizojmë me vullnetin tonë. Nëse ne nuk e bëjmë atëherë populli ynë e realizon këtë në kutitë e votimit. Duhet ta zgjidhim vetë këtë pa dhënë një mundësi të tillë”.