Ish-drejtuesi politik i LSI-së në qarkun e Beratit, Ardit Çela, në një intervistë në “News 24” deklaroi se qytetarët do të dëgjojnë çudira për parregullësitë në zgjedhje.

“Do dëgjoni çudira. Ka pasur parregullësi të jashtëzakonshme në zgjedhje. Ka probleme me votimin në qarkun e Beratit, disa QV të pavlefshme. Ne kemi kërkesën se ka parregullësi në zgjedhje dhe kemi kërkesën gjithashtu edhe për rezultatin final. Janë konstatuar shumë probleme si blerja e votës, deri te rastet konkrete për parregullësi në qarkun Berat. Mund të ndodhë edhe që pajisja elektronike të mos punojë. Mungon edhe nënshkrimi manual në listën e zgjedhësve, ne nuk dimë se kush ka votuar aty.

Disa qendra të votimit në Berat janë të pavlefshme. Në Ullinjas, Komisioni ka shtuar votues. Duket qartë se në kuti janë futur duart, e prandaj rezultati i kutisë nuk mund të merret për bazë. Edhe në Urën Vajgurore ka probleme. Iu thashë se do dëgjoni çudira, ku një fletë e quajnë të përdorur dhe një të papërdorur”, tha Çela.

Ardit Çela nënvizoi se Shqipëria nuk duhet kurrsesi që të kthehet në standardin e para 20 viteve, kur kutitë mbusheshin me vota.

“KQZ-së i kemi bërë kërkesë që të na vendosë në dispozicion process-verbalet dhe të shikojmë si është gjendja. KAS të marrë një vendim. Nuk mund të kthehemi në standardet e para 20 viteve, që të mbushen kutitë. Grupet e numërimit kanë firmosur që në këtë ZAZ ka fletë tepër dhe madje është firmosur edhe nga anëtarët e PS-së. Ata e kanë pasqyruar si parregullësi, por e kanë konsideruar normale. Vetëm me tre kuti që presim të rinumërohen ndryshon rezultati dhe mandati shkon për ata mijëra votues të LSI”, u shpreh Çela.

Më tej, Çela deklaroi se pavlefshmëria e qendrave të votimit në Berat të konstatuara problematike nga LSI, është e padiskutueshme.

“Ne nuk flasim për pretendime, por për fakte. Shumë fletë janë të pavlefshme. Kur të rinumërohen votat në kuti, del e vërteta. Nuk merret vesh se kush ka votuar. Unë do uroja shumë që të përsërisin zgjedhjet, pavlefshmëria e këtyre qendrave të votimit të konstatuara nga forca jonë politike nuk duhet të diskutohet, sepse kthehemi pas në kohë”, përmbylli Çela.