Maqedonia e Veriut nuk ka marrë kurrfarë garanca nga Bullgaria për heqjen e vetos në Bruksel, lidhur me fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kryeministri Zoran Zaev tha sot se kontestimet e Bullgarisë janë të zgjidhshme dhe duhet ulur bashkë për të gjetur zgjidhjen. Sipas tij, të gjithë e dinë se Maqedonia e Veriut nuk ka pretendime territoriale ndaj Bullgarisë dhe mbi këtë bazë mund të ndërtohet edhe marrëveshja mes palëve.

ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR
“Thash se ne nga Bullgaria nuk kemi marrë garanca gjatë Samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Slloveni, as BE-ja nuk ka marrë garanca. Porositë ishin të qarta dhe besoj se presidenti Radev i ka kuptuar. Çështjet bilaterale duhet të ulemi dhe t’i zgjidhim në mënyrë bilaterale. Besoj se do të gjejmë gjuhë të përbashkët sepse janë çështje të zgjidhshme”

Ai tha se për shkak të sistemit të vendosjes në Bashkimin Evropian, Maqedonisë së Veriut i duhet patjetër përkrahja e Bullgarisë. Por përkundër se dy vendet quhen miq dhe vëllezër, sjellja e Bullgarisë nuk i ngjan një sjelljeje vëllazërore, sipas Zaevit.

ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR
“Nëse njëra palë dëshiron që edhe më tej të bllokojë, u mbetet atyre. Definitivisht ne na duhet përkrahja e Bullgarisë, ajo është një nga fqinjët tanë të parë, fqiu lindor. Shpesh përveç se miq, quhemi edhe vëllezër, ndërsa vëllezërit ndihmojnë njëri-tjetrin, nuk gjejnë mënyra dhe shkaqe për të bllokuar njëri-tjetrin. Bullgaria është anëtare e BE-së dhe BE-ja pa një shtet nuk mund të sjellë vendime”

Bullgaria shkon në zgjedhje të reja parlamentare dhe presidenciale në nëntor të këtij viti. Zaev pret që një qeveri e re politike në Sofje do ta ketë më lehtë të bisedojë për çështjen e Maqedonisë së Veriut. Megjithatë afatet për një zgjidhje të shpejtë janë të ngushta, sepse në dhjetor është Samiti i radhës i Bashkimit Evropian ku fati i hapjes së bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të jetë sërish në tavolinë. /SHENJA/