Për momentin në Maqedoni nuk ekziston kapacitet i thellë politik i cili do të zgjidhte krizën e cila po thellohet edhe më shumë me kalimin e afatit për shpalljen e zgjedhjeve lokale.

Kjo situatë madje mund të reflektojë edhe në dhunë qytetare por edhe ndëretnike. Kështu vlerësojnë ish-kryetari i Kuvendit, Stojan Andov dhe analisti politik Ismet Ramadani. Analisti Ramadani madje nënvizon se tanimë vetëm faktori ndërkombëtar mund të zgjidh situatën e krijuar, përmes etiketimit të drejtpërdrejtë të thelluesve të krizës.

“Do të kemi porosi më të theksuara më direkte dhe definitivisht me emër dhe mbiemër të izolohen dhe të përdoren të gjitha mekanizmat për kryetarin e shtetit, për ish-kryeministrin Gruevski dhe të tjerëve të cilëve shtetin me vetëdije duan ta fusin në një turbulencë e cila do të ketë pasoja, sepse gjithçka mund të kalojë në dimensionin e destabilizimit”, ka thënë Ismet Ramadani.

Ish-kryetari i Kuvendit, Stojan Andov, deklaron se me zvarritjen e shpalljes së zgjedhjeve lokale, edhe udhëheqësit e komunave por edhe ato të pushtetit qendror janë të pavlefshëm. Andov thotë se kriza është bërë infektim dhe tani e bllokon Kuvendin, ka bllokuar presidentin dhe gjithë udhëheqësinë e shtetit. Andov deklaron se patjetër duhet të bëhet hapi i parë për zgjidhjen e krizës, pasi nëse ajo zgjatet mund tu kushtojë qytetarëve me jetë.

“A do të reflektojë edhe me jetë, po do të reflektojë me jetë si jo, do të jetë keqë. Unë shpresoj se nuk do të vijë në përleshje ndëretnike për shkak se problemi kryesor është mes partive politike maqedonase, mes atyre që votuesit i kanë maqedonas. Ata duhet ti bëjnë hapat e parë. Sipas meje hapi i mirë dhe i parë do të ishte të largohen disa dyshime nëse nuk kanë bazë, dhe Zaev ta publikojë marrëveshjen që e ka bërë me partnerët, të shihet se çka ka pranuar dhe çfarë jo, e kështu me radhë”, ka thënë Stojan Andov, ish-kryetar i Parlamentit.

Andov nënvizon se Kuvendi duhet patjetër të rikonstituohet, pasi konstituimi i tij nuk është vetëm verifikimi i mandateve por edhe zgjedhje e trupave të domosdoshëm dhe kryetarit të Kuvendit, ndërsa këtë mund ta arrijnë shumica e deputetëve të cilët kanë të drejta dhe obligime të posaçme dhe mund të formojnë Qeveri transmeton SHENJA, përcjell FOL.