Opinion nga Abdulla Mehmeti

Historia nacional-shoviniste kundër shqiptarëve nga një parti politike dhe disa shoqata të qytetarëve në Maqedonia, i kanë plotësuar të gjitha kushtet, sipas dispozitave kushtetuese dhe ligjore, që organet kompetente të ngrenë procedurë për ndalimin e punës dhe veprimtarisë së tyre, për shkak të shkeljes së dispozitave kushtetuese edhe normave pozitive ligjore.

Fakti se organet kompetente në këtë shtet nuk ndërmarrin masa përkatëse në lidhje me këtë çështje tepër të ndjeshme, me cenimin e normave më elementare të demokracisë dhe shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, dëshmon se ky shtet është larg parimeve qytetëruese, normave shoqërore demokratike dhe konceptit të shtetit ligjor.

1. Sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, neni 20, paragrafi 3:
,,Programet dhe veprimtaria e shoqatave civile dhe partive politike nuk mund të orientohen drejt rrënimit të dhunshëm të rendit kushtetues të Republikës dhe drejt nxitjes ose thirrjes së agresionit ushtarak, ose nxitjes të urrejtjes ose mosdurimit kombëtar, racor ose fetar.

2. Sipas Ligjit për partitë politike në Republikën e Maqedonisë, nenit 3, paragrafi 1, pika 2: ,,Veprimtaria e partive politike nuk mund të orientohet drejt nxitjes së urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”.

Çka duhet të ngjajë më tepër në këtë shtet, që organet legale të pushtetit të funksionojnë normalisht, apo dëshmohet hapur se ato janë të kapura nga mafia politike dhe bandat kriminale?!