Kujtim RAMADANI

Të nderuar lexues,

Thonë kush zgjohet herët i pari gjen riskun…

Kush zgjohet herët në Tetovë, she krimin dhe zullumin që po na shkaktohet nga çdo anë. Si mundet me aq shpirtligësi dhe pamëshirë të na i shkaktoni këto tmerre, u përlafshin juve në fillim! Na i shkaktoni në gjumë, duke fjetur, mbase me shpresën të mos zgjohemi më kurrë! Kushedi sa i fërkoni duart me shpresën të mos e mbërrijmë ditën e ardhshme! Kësaj i thonë hedh gurin, fsheh dorën. Keni parë ju qyqari më të madhe se kjo? Keni parë ju hipokrizi më të shpifur se kjo? Keni parë ju farë më të prishur se kjo? Më tregoni ku ka, që të rehatohem pak.

Ankoheshin më parë shqiptarët e gjorë (e të mjerë) se po i helmojnë, po i ekzekutojnë (nëpër monopole) a uzina të lëna mbas dore, po i dëmtojnë, po i vjedhin, po i mashtrojnë, po i dhunojnë e përdhunojnë… të tjerët!

Po sot?! Kush i bën këto rezillëqe?

Të nderuar, sot, në këtë mëngjes të datës 05.10.2016 (e mërkurë) dhe shumë ditë të tjera si kjo, që kanë kaluar dhe mbase që do vijnë, ne po zhdukemi si soj nga faqja e dheut nga tanët, jo nga të huajt, nga të tjerët… JO!

Sot, në këtë mëngjes të datës 05.10.2016 (e mërkurë) dhe shumë ditë të tjera si kjo, që kanë kaluar dhe mbase që do vijnë, ne po zhdukemi si soj nga faqja e dheut ngadeponia e egër në hyrje të Tetovës ku vazhdon djegia e mbeturinave pa pardon,nga dy a tre uzina të vogla në rrugën për te Shkolla Wilson, ku një Zot e di se çka digjet, dhe natyrisht, nga i madhi, i plotfuqishmi (Zot më fal për këto atribute që po i përdor), i paskrupullti, i pamunduri, i pashpirti – Monstra Jugohrom.

Dhe pas gjithë këtyre të zezave që po na i bëjnë, ne rrimë duarkryq… jemi bërë si gomari që po thoshte “O Zot bëje ëndërr!” ndërkohë që po shqyhej nga ujqit e tërbuar, si këta që i përmenda më lart.

Epo, mbasi s’kemi tjetër për të bërë (apo kemi…?!), atëherë po e them edhe unë, “O Zot bëje ëndërr!”