Barack Obama ka mbërritur sot në Greqi në vizitën e fundit në Evropë si president i Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, Athina ka thënë se shpreson se Obama do ta përdorë pushtetit e tij për t’i bindur kreditorët e vendit që t’ia falin një pjesë të borxhit të madh, transmeton Express.

Obama, i cili do të zëvendësohet nga Donald Trump në janar të 2017-es, u mirëprit nga ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Panos Kammenos, në aeroportin e Athinës, në fillim të vizitës dy ditore.

Kjo është vizita e parë e një presidenti amerikan në Greqi që nga vizita e Bill Clintonit në vitin 1999.

Obama pritet të diskutojë çështjen e borxhit dhe krizën me emigrantë me kryeministrin Alexis Tsipras dhe presidentin Prokopis Pavlopoulos, dhe të japë një fjalim nesër.

“Konsiderojmë se kjo vizitë do të kontribuojë në përpjekjet për të ulur borxhin e Greqisë,” ka thënë zëdhënësi i qeverisë greke për Reuters, Dimitris Tzanakopoulos.