“Amerika mund të bëjë çdo gjë”, – tha Presidenti Barak Obama të shtunën, duke përmbledhur idenë kryesore që pritet të përshkojë fjalimin e tij të fundit mbi gjendjen e vendit që do të mbajë të martën në mbrëmbje.

Presidenti dhe republikanët kritikë të tij do të sjellin vlerësime të ndryshme për shtatë vitet e kaluara dhe do të kundërshtojnë njeri tjetrin se çfarë duhet të bëjnë Shtetet e Bashkuara për të shkuar përpara. President Obama sheh përparimin e bërë dhe një bazë të fortë për të ndërtuar.
“Ekonomia ka hyrë në një periudhë 70-mujore që po krijon vende pune. Gjatë kësaj kohe janë krijuar mbi 14 milionë vende të reja pune,” tha presidenti. “Ne kemi bërë investime historike në energji të pastër dhe e kemi vënë veten në një rrugë drejt një të ardhmeje me nivel të ulët të karbonit. Ne kemi sjellë më shumë se 17 milionë amerikanë në sistemin tonë shëndetësor. ”
Republikanët kanë hedhur poshtë prej kohësh të dhënat ekonomike të presidentit Obama duke i cilësuar si më të ultat dhe që do të vazhdojnë të ulen. Ja si u shpreh Senatori Senatori John Hoeven, se çfarë pret ai të dëgjojë nga fjalimi i presidentit mbi gjendjen e vendit:
“Ajo që ne duam të dëgjojmë është se çfarë do të bëjë presidenti për të çliruar krijimtarinë e mrekullueshme dhe iniciativën e popullit amerikan. Si republikanë, ne duam të fuqizojmë njerëzit tanë të mrekullueshëm që vendi të konkurrojë dhe fitojë.”
“Presidenti do të flasë për të ardhmen dhe do të përpiqet të paraqesë një tablo rozë që nuk ekziston,” tha udhëheqësi i shumicës në Senat republikani Mitch McConnell, në programin e rrjetit televiziv ABC. “Ajo që ne duam të dëgjojmë nga presidenti është një plan të vërtetë për të mposhtur grupin ISIS.”
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se presidenti Obama do të bëjë më shumë sesa vetëm të paraqesë arritjet e administratës së tij.
“Ai do të flasë për të ardhmen”, tha në emisionin televiziv “This Week” shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, Denis McDonough. “Ai do të jetë shumë optimist dhe i orientuar drejt veprimit. Ai nuk dëshiron që ky të jetë fjalim tradicional politik ku përshkruhen vetëm një sërë propozimesh. Përkundrazi, ai do të hedhë vëzhtrimin në të ardhmen e këtij vendi, sfidat që po kalojmë,” shtoi z. McDonough, i cili ka qenë përkrah presidentit gjatë shkrimit të fjalimit të së martës.
Përgjigja republikane do të jepet nga Guvernatorja e Karolinës së Jugut Nikki Haley një indiane-amerikane dhe që shumë mendojnë se do të konsiderohet si kandidate e mundshme për postin e zv/presidentit në zgjedhjet e ardhëshme.

obama