Barack Obama mbetet i bindur se urdhri për sulmet kibernetike gjatë fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara ka ardhur nga maja e piramidës ruse të pushtetit.

“Në Rusi nuk ndodh gjë pa miratimin e Vladimir Putinit. E kemi thënë dhe unë e konfirmoj se urdhri për sulmet kibernetike vjen nga nivelet më të larta të qeverisë ruse. Po iua lë ta vendosni vet nëse ka zyrtarë të lartë rusë që rebelohen, e vendosin me mendjen e tyre të ndërhyjnë në procesin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pa dijeninë e Vladimir Putinit”, tha Obama.

Moska vazhdon t’i mohojë akuzat e Uashingtonit dhe zëdhënësi i Putinit, dy ditë më parë i kërkoi Amerikës që të japë prova për pretendimet e saj, ose në të kundërt të mbyllë gojën.

Dy zyrtarë të lartë të administratës amerikane i thanë agjencisë së lajmeve “Reuters” se, edhe FBI-ja e mbështet bindjen e CIA-s, se Rusia ka ndërhyrë për të ndihmuar fitoren e Donald Trumpit. Edhe pse është mëse e qartë se Kremlini donte Trumpin si president, manjati këmbëngul se triumfi i tij ishte i pastër dhe se Moska nuk ka gisht në rezultatin zgjedhor, që i dha atij të drejtën të marrë në dorë çelësat e Zyrës Ovale.

Në të vërtetë, miliarderi ekscentrik nuk po shprehet tani me aq simpanti sa në fillim kundrejt Moskës. I pyetur pas zgjedhjeve se, përse i pëlqen Putini, ai tha se as e pëlqen dhe as e urren presidentin rus, ndërsa shtoi në mënyre enigmatike:

“Ndoshta do të kemi marrëdhënie të mira. Ndoshta do të kemi marrëdhënie të tmerrshme, por mbase do të kemi dhe ndonjë gjë të ndërmjetme”.