OBSH: Tregu në Wuhan pati rol në shpërthimin e epidemisë së koronavirusit

Tregu në qytetin qendror kinez, Wuhan kishte një rol në shpërthimin e epidemisë së koronavirusit vitin e kaluar, si një burim ose ndoshta si një “mjedis forcues”, njoftoi sot Organizata Botërore e Shëndetit, duke bërë thirrje për më shumë hulumtime.

“Tregu kishte një rol në ngjarje, është i qartë, por çfarë roli, ne nuk e dimë, nëse ishte burim apo nëse kishte efekt përforcues ose thjesht ishte një rastësi që disa raste u zbuluan brenda dhe përreth këtij tregu”, tha Dr. Peter Ben Embarek, ekspert i OBSH-së për sigurinë e ushqimit dhe viruset zoonotike që kalojnë nga kafshët te njerëzit, raportoi Reuters.

“Nuk është e qartë se prej nga ka rrjedhur virusi që u soll në treg”, shtoi ai në një konferencë për shtyp në Gjenevë.

Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo deklaroi se ka shumë prova që virusi erdhi nga laboratori në Ëuhan, megjithëse ai gjithashtu tha që nuk ishte i sigurt. Asnjë provë publike nuk e lidhi epideminë me një laborator në Wuhan, dhe shkencëtarët thanë se koronavirusi duket se ishte zhvilluar në natyrë.