Kriza politike ka shkaktuar stagnim për biznesin, thonë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, të cilët realizuan sot një takim me afaristë vendor, në të cilin u bisedua për problematikat, iniciativat dhe gjithçka tjetër që i tangon gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.Gjithashtu u bë edhe prezantimi i Raportit vjetor dhe financiar të viti të kaluar, por edhe plani vjetor dhe financiar i vitit 2017.

Kryetar i OEMVP-së Nebi Hoxha, u shpreh se qeveria nuk ka vesh për ta dëgjuar biznesin, totalisht janë të orientuar në investitorët e huaj dhe i kanë lënë anash investitorët vendor. Gjithashtu, kriza politike në vend, shtoi ai e ka vështirësuar edhe më shumë punën e kompanive vendore.

“Situata politike po ndikon mjaft në biznes dhe e pamë të arsyeshme që këtë vit po takohemi më shpejtë përshkak se ka një stagnim ekonomik dhe duhet që së bashku me bizneset të japim mendimet dhe të gjitha këto kërkesa të bizneseve t’i delegojmë deri te institucionet përkatëse”, ka deklaruar Nebi Hoxha, kryetar i OEMVP-së.

Ndërsa, Nexhat Shahini, përfaqësues i sektorit të biznesit në zonën ekonomike në Vizbeg të Shkupit dhe pronar i kompanisë BAUKOP tregoi disa nga problemet të cilat i tangojnë bizneset në zonën industriale të Vizbegut.

“Me qeverisjen e tanishme stagnon gjithçka, ka rënie edhe në qarkullim, ka probleme edhe në kërkimin e dokumenteve nëpër institucione ku nuk funksionon asgjë. Për një transportues i cili bën një investim 100.000 euro, ne duhet nëpërmjet Odës Ekonomike deri te ministri të bëjmë intervenim për një leje, një homologacion, është një letër e thjeshtë të cilën duhet ta jep një institucion, është konkret pjesëtar i Odës Ekonomike, i cili kërkon ndihmë prej neve dhe nuk mund të hyjë në funksion ai automjet dhe nuk mund të sjellë mjete për shtetin”, u shpreh Nexhat Shahini, pronar i kompanisë BAUKOP.

Sot Oda Ekonomike realizoi Karvanin e Odës si një aktivitet tradicional, që realizohet për të gjashtën herë radhazi në nivel të vendit, e cila ka për qëllim vizitën nëpër kompanitë anëtare dhe ato potenciale për anëtarësim, në mënyrë që duke qenë më afër tyre të jenë në dijeni edhe për problematikat me të cilat ato përballën. /SHENJA/

OEMVP: Kriza politike stagnoi biznesin by tvshenjaofficial