Diego Armando Maradona ka njoftuar se i është refuzuar viza për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, për shkak se ka ofenduar presidentin Donald Trump në një televizion.

Legjenda argjentinase e futbollit drejton aktualisht ekipin Al Fujairah nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Atij i duhej të udhëtonte drejt Miamit për një çështje gjyqësore që përfshinte ish-bashkëshorten e saj, Claudia Villafañe.

Kjo, gjithsesi, nuk është hera e parë për “El Pibe de Oro”-n, i cili është “deportuar” nga Shtetet e Bashkuara edhe gjatë Botërorit të vitit 1994 pasi u kap teksa konsumonte lëndë narkotike.

Duke folur për një shfaqje televizive në Argjentinë, “Buenos días América”, avokati i Maradonës, Matias Morla shpjegoi se çfarë ka ndodhur. Ai tha se, ish-ylli i Napolit dhe kombëtares “albiceleste” ishte shumë pranë marrjes së vizës, në momentin kur 57-vjeçari dha një intervistë për kanalin televiziv venezuelian, “TeleSur”.

“Mund ta imagjinoni, isha në Ambasadë dhe i thashë: Diego, të lutem mos fol për Shtetet e Bashkuara”, rrëfen Morla. “E këshillova kështu pikërisht sepse intervista ishte për ‘TeleSur’ dhe e parandieja sesi do të shkonin gjërat. Pyetja e dytë që iu bë atij ishte: Çfarë mendoni për Donald Trump? Dhe përgjigjja e tij ishte: Donald Trump është një ‘chirolita’, (një zhargon që nënkupton kukull). Menjëherë pas kësaj i komunikova se në Miami do të ikja unë ta përfaqësoja”, thotë avokati.