Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e re është Oliver Spasovski, i lindur më 21.10.1976 në Kumanovë.
Në biografinë e tij të dorëzuar me propozim-konstituimin e qeverisë është theksuar se është zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në dhjetor të vitit 2016. Ky është mandati i tij i tretë si deputet.
Spasovski e ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme në Kumanovë, ka diplomuar në Fakultetin juridik “Justiniani I” në kuadër të Universitetit “Shën Cirili dhe Metodij” në Shkup. Për momentin është magjstrant i të drejtës administrative në Fakultetin Juridik “Justiniani I” në kuadër të Universitetit “Shën Cirili dhe Metodij” në Shkup.
Spasovski në vitin 2000 ka punuar si praktikant në avokaturë. Nga viti 2001 deri në vitin 2005 ka punuar si këshilltar i kryetarit të komunës së Kumanovës. Prej vitit 2008 deri në vitin 2011 ka punuar si sekretar në Komunën e Kumanovës.
Nga viti 1999 Spasovski ka qenë anëtar i Kryesisë së Organizatës komunale të LSDM-së në Kumanovë, prej vitit 2000 deri në vitin 2003 ka qenë sekretar i Organizatës komunale të LSDM-së në Kumanovë. Në periudhën prej vitit 2003 deri në vitin 2004 ka qenë anëtar i Kryesisë së Këshillit qendror të LSDM-së. Prej vitit 2005 deri në vitin 2006 ka qenë sekretar organizativ i LSDM-së. Në vitin 2013 është zgjedhur Sekretar i përgjithshëm i LSDM-së.
Në biografi është theksuar se prej 11 nëntorit të vitit 2015 deri më 18 maj të vitit 2016 Spasovski ishte në funksionin ministër i Punëve të Brendshme, në Qeverinë e cila duhej të sigurojë kushte për zbatimin e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike.
Më 2 shtator 2016 ai përsëri u zgjodh ministër i Punëve të Brendshme dhe këtë funksion e ka kryer deri më 28 dhjetor të vitit 2016, kur Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i kumtoi rezultatet përfundimtare prej Zgjedhjeve parlamentare të parakohshme 2016.
Në periudhën prej vitit 2006 deri në vitin 2008 dhe prej vitit 2011 deri në vitin 2014 ka qenë deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Në mandatin prej vitit 2011 deri në vitin 2014 është kryetar i Grupit parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për bashkëpunim me Parlamentin e Ukrainës dhe anëtar i Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në Komitetin parlamentar për stabilizim dhe asociim, Grupit parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës Popullore të Kinës, Grupit parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës portugeze dhe Grupin parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Sllovenisë.
Spasovski flet gjuhën angleze dhe frënge. Është i martuar dhe ka dy fëmijë.