Partitë opozitare nuk janë të mendimit se vendimi i Qeverisë për masat ekonomike do të sjell lehtësim për qytetarët, ndërsa kërkojnë që të dëgjohen edhe propozimet e tyre. Adnan Neziri nga Aleanca për Shqiptarët thotë se vendimi i Qeverisë është tentim për mashtrimin e qytetarëve dhe pa efekte lehtësuese. ASh kërkon uljen e akcizës së derivateve të naftës si dhe TVSH-së.

“Akciza për benzinë nga 22 denarë të ulet në 15 denarë, ndërsa ajo e dizelit nga 15 në 9 denarë. Kjo shumë të jetë fikse dhe të mos varet nga lëvizjet e berzë. TVSH propozojmë që të ulet nga 18 në 5% dhe jo në 10% sa propozoi Qeveria. Gjithashtu edhe vlera e TVSH-së të jetë e ngrirë maksimalisht në çmimin e 28 shkurtit, që nënkupton të mos llogaritet për rritjet e reja që do të mund të vijnë nga bursa. Çdo eksperiment tjetër do të dëmtojë rëndë qytetarët si dhe do të ketë ndikim edhe në çmimet e produkteve tjera“, tha Adnan Neziri nga Aleanca për Shqiptarët.

Për VMRO-DPMNE masat e reja të propozuara nga qeveria LSDM-BDI janë të vonuara dhe shumë pak për t’u përballur me krizën sepse, siç potencojnë, janë masa këshilluese që kërkojnë muaj për t’u zbatuar.

“Qeveria e administratorit Kovaçevski nuk e pranoi propozimin e VMRO-DPMNE-së për uljen e akcizës për derivatet e naftës për 50% dhe uljen e menjëhershme të derivateve për 13 dhe 9 denarë, por ofroi një model të komplikuar që askush nuk e kuptoi dhe nuk garantoi që do të kontribuoj në uljen e çmimit të derivateve”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Edhe Lëvizja Besa vlerëson se kjo Qeveri nuk ka kapacitet për të udhëhequr me shtetin, pasi masat që u miratuan dje për ballafaqim me krizën ekonomike janë jofunksionale.

“Fakti se nuk kaluan as disa orë që qeveria miratoi masat, komisioni rregullator përsëri rriti çmimet e derivateve të naftës që në esencë i bën të pavlefshme edhe masat e ndërmarra për ulje të akcizës. Vendimi për uljen e akcizës së naftës po del të jetë vetëm politik populiste dhe e dështuar, duke mos ditur dhe duke mos marr masa në kohën e duhur”, thonë nga Lëvizja Besa.

26 pakot me masa ekonomike të vendosura në Qeveri, duhet që të marrin miratim në Kuvend, por nga kabineti i kryetarit të Kuvendit konfirmuan për TV21 se propozimet ende nuk kanë arritur.