Bisedimet mes Shkupit dhe Athinës për zgjidhjen e kontestit për emrin e Maqedonisë janë intensifikuar si asnjëherë më parë, me takime të nivelit të lartë.

Takimi i sotëm mes ministrave të Punëve të Jashtme të të dy vendeve me ndërmjetësin, Matthew Nimetz në Vjenë të Austrisë, pritet të hyjë në thelbin e kontestit pas gatishmërisë së Qeverisë së Maqedonisë për pranimin e një emri me përcaktim gjeografik si: Maqedonia e Epërme, Maqedonia Veriore, Maqedonia e Vardarit apo Maqedonia (Shkupi). Një takim mes dy ministrave është mbajtur edhe mbrëmë po në Vjenë, por detaje nuk janë dhënë nga asnjëra palë.

Takimet pritet të shtrihen edhe në nivelin e kryeministrave, por detaje për kohën dhe vendin e takimit ende nuk janë kumtuar. Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka shprehur bindjen se deri nga fundi i muajit maj mund të ketë një zgjidhje të mundshme, por edhe ai nuk ka saktësuar detaje. Zaev ka theksuar se Qeveria mbetet në qëndrimin se zgjidhja nuk duhet të përfshijë edhe ndryshimin e Kushtetutës.

Ndërkaq zëvendëskryeministrja, Radmilla Sheqerinska thotë se bazuar në qëndrimet e deritanishme edhe të zyrtarëve perëndimorë, anëtarësimi i vendit në institucionet euroatlantike nuk është i lidhur me ndryshimin e Kushtetutës, por me kritere tjera që po ashtu janë edhe në interes të qytetarëve të vendit.

“Absolutisht vlerësoj se shkelja e ligjeve apo e Kushtetutës nuk duhet të jetë pjesë e obligimeve që duhet të përmbushë Maqedonia, pasi një ndër kushtet kryesor është sundimi i së drejtës. Kjo është theksuar edhe nga vetë Aleanca e Atlantikut të Veriut në samitin e fundit, kur riafirmoi qëndrimin për të pranuar Maqedoninë në mesin e saj. Pra, përveç kontestit me Greqinë si kritere që shihet si me prioritet janë sundimi i ligjit, zgjedhjet e besueshme, media të pavarur dhe rritje e transparencës dhe e përgjegjësisë së institucioneve. Këto kritere kërkohen edhe nga qytetarët tanë kështu që jo rastësisht NATO dhe BE shihet nga ana e tyre si aleatët më të fuqishëm të vendit”, thotë Sheqerinska.

Në deklaratat e zyrtarëve grekë që transmetojnë mediat në Maqedoni, bëhet e qartë se Athina do të insistojë me çdo kusht që zgjidhja të përfshijë edhe ndryshimin e Kushtetutës. Me këtë pala greke kërkon që përveç emrit të ndryshojë edhe identiteti dhe gjuha.

Opozita në Maqedoni ka akuzuar ndërkohë institucionet për mungesë të transparencës, duke shprehur dyshimet se Qeveria po negocion edhe ndryshime tjera, përveç emrit.

“Jemi dëshmitar të pazareve të turpshme me interesat më të larta shtetërore. Maqedonia dhe populli maqedon nuk kanë merituar një sjellje të këtillë nga Zoran Zaev dhe garnitura qeveritare. Qytetarët janë të shqetësuar dhe presin që Qeveria t’i mbrojë interesat kombëtare”, ka deklaruar Igor Janjushev nga VMRO-DPMNE-ja opozitare.

Dallime në qëndrime ka edhe mes partive shqiptare. Opozita, por edhe forumi i intelektualëve shqiptarë kanë reaguar lidhur me mospërfshirjen e shqiptarëve në negociata, ndërsa thonë se do të kundërshtojnë çdo zgjidhje e cila nuk pasqyron realitetin demografik në Maqedoni.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se shqiptarët janë pjesë e procesit dhe se sipas saj me rëndësi për momentin është që të ketë zgjidhje e cila do të zhbllokonte procesin eurointegrues. /REL