Gjeneralisht zgjedhje normale me disa parregullsi të vogla. Partitë politike duhet të shprehin vullnet më të madh për t’i aplikuar rekomandimet e Komisionit Evropian për t’i përmirësuar lëshimet, të cilat kanë ndodhur gjatë këtij procesi zgjedhor. Presioni ndaj administratës duhet të përfundojë urgjentisht.

Këto ishin disa nga përfundimet dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR, të cilët monitoruan procesin parazgjedhor dhe atë zgjedhor të RM-së.

“Do të ofrojmë ndihmë gjithmonë kur është nevoja. Elektorati e kuptoi rëndësinë e zgjedhjeve të lira. Zgjedhjet ishin hap i rëndësishëm për zgjidhjen e krizës dhe çështjeve tjera që duhet të zgjidhen. Zgjedhjet gjeneralisht mirë të administruara. Kishte disa raste kur votuesit nuk mund ta gjenin veten në lista. Lëshimet ligjore duhet të gjejnë përgjigje. Gjatë fushatës vërejtëm trysni ndaj administratës, disa raste edhe vetë i vërtetuam” tha Robert Bateli, koordinator special i OSBE/ODIHR.

“Këto zgjedhje ishin ndryshe. Gjetja e marrëveshjeve dhe puna fillon pas zgjedhjeve” tha Stefan Shenesh, përfaqësues i Këshillit Evropian.

Edhe Shenesh thekson se presioni ndaj administratës duhet të ndalet urgjentisht dhe porositi protagonistët politik që të gjejnë përpjekje për rekomandimet e BE-së.

Igor Sholtes nga Parlamenti Evropian iu bëri thirrje partive politike në Maqedoni që t’i japin përkrahje pa kushte Prokurorisë Speciale dhe pa obstrukcione.

“Kushtet e Marrëveshjes së Përzhinos duhet të plotësohen. Duhet të përmirësohen kushtet në media. Qeveria e ardhshme dhe Kuvendi duhet të jenë më të përgjegjshëm dhe ta kthejnë vendin kah BE” rekomandoi Sholtes.

Procesin e zgjedhjeve pozitivisht e ka vlerësuar edhe Tana de Zulueta nga OSBE/ODIHR.

Procesi zgjedhor ishte pozitiv. Vlerësojmë se ky është hap thelbësor për zgjidhjen e krizës. Duhet të punohet në çështjen e mediave. Balancë kishte vetëm te Radiotelevizioni shtetëror, por jo edhe te mediat private. Kemi shënuar vërejtje për financimin e fushatës. Duhet ende punë. Rregulloret për media duhet të forcohen. Ka hapësirë edhe shumë gjëra për të përmirësuar”theksoi Zulueta.