Shefi i Misionit të OSBE-së në Ukrainë, Ertugrul Apakan ka thënë sot se pavarësisht tragjedisë së ndodhur në Ukrainë, OSBE do të vazhdojë të kryejë detyrën e saj në këtë vend.

Duke vënë në dukje se personeli që punon në këtë mision të veçantë, është i përbërë nga një staf profesionist dhe kontribuon në normalizimin e situatës, Apakan ka thënë se punonjësit e këtij misioni vendosin veten e tyre në rrezik për të bërë punën e tyre.

“Gjej rastin të bëj thirrje për tërheqjen e armëve, pastrimin e minave dhe vendosjen e paqes së vërtetë. Kërkoj që të dënohen personat që kanë vendosur mina. Edhe pse përjetuam një tragjedi të tillë, misioni ynë do të vazhdojë“, ka thënë ai në vijim.

Ditën e djeshme, një automjet i OSBE-së ka shpërthyer në Lugansk pasi ka shkel në një minë, ku një personel i OSBE-së, qytetar i SHBA-ve, humbi jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur.