Gjuha maqedonase buron nga bullgarishtja, ndërsa kombësia është krijuar në suaza të përpjekjes bullgare për çlirim nga perandoria otomane. Kjo gjë është kërkuar që të nënshkruhet nga Maqedonia si marrëveshje e re nëse dëshirojmë që Bullgaria ta tërheq veton në rrugën tonë drejt BE, zbuloi sot ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani, në takimin me gazetarët.
Këtë propozim Osmani e ka marrë dhjetorin e kaluar nga shefja e atëhershme e diplomacisë bullgare, Ekaterina Zaharieva. Ky propozim është hedhur poshtë.
“Zgjidhja e vetme është e drejta për vetëpërcaktim. Qytetarët do ta interpretojnë narrativin e vet pa ua imponuar askush, përkatësisht shteti të mos ia imponoj asnjërës palë”, tha Bujar Osmani – ministër i Punëve të Jashtme.
Osmani shtoi se dalja e vetme nga kjo gjendje është konsolidimi i pakicës bullgare te ne e cila ka liri të interpretimit historik të manifestimit të atributeve kulturore dhe historike, e jo imponimit të një të vërtete absolute.
“Unë punoj çdo ditë aq sa e kam mundësinë, javë për javë pa dhënë afate të gjata që do të na relaksonin neve dhe ata në Sofje apo Bruksel. Mendoj se kemi merituar që të fillojmë negociatat. Kërkojmë diçka që është e jona dhe që e meritojmë dhe vlerësoj se nuk duhet të lëmë hapësirë që ngadalë kjo çështje të hyjë në konflikt të ngrirë”, shtoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Çështja e hapur me Bullgarinë do të jetë prioritet edhe vitin e ardhshëm.
“Së pari duhet të formohet Qeveria te ne, kah mesi i janarit, dhe atëherë ndoshta për herë të parë pas dy muajve do të kemi dy Qeveri politike në dy shtetet që kanë kontekst, në Bullgari dhe te ne. Vetë kjo vetvetiu jep mundësi më të mirë për bisedime thelbësore dhe tejkalim të dallimeve. Kështu që pres që kjo vizitë e paralajmëruar e kryeministrit Petkov të realizohet që në muajin janar dhe kjo do të konfirmojë dinamikën për periudhën e ardhshme”, potencoi Bujar Osmani – ministër i Punëve të Jashtme.
Osmani në takimin vjetor me gazetarët tha se në fuqi është ende propozimi i kryesimit portugez dhe ai propozim formalisht ende nuk është hedhur poshtë nga Bullgaria dhe se për ne kjo është e vetmja gjë që mund ta pranojmë.