Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu theksoi rëndësinë e mbështetjes së Turqisë në pjesëmarrjen e vendit të saj në organizatat ndërkombëtare, shkruan Insajderi.

Osmani në një intervistë për ‘Anadolu Agency’ në margjinat e Forumit të Diplomacisë së Antalya-s tha se “kjo platformë ishte një mundësi shumë e mirë për të zhvilluar bisedime. Përveç marrëdhënieve bilaterale zhvilluam takime për njohjen e Kosovës si shtet”.

Osmani-Sadriu theksoi se për mbështetjen e Turqisë kemi nevojë edhe në aspektin e njohjes së Kosovës.

“Kemi nevojë për mbështetjen e Turqisë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në kontakt për të bërë gjithçka lidhur me këtë çështje në arenën ndërkombëtare, për të vazhduar mbështetjen e fuqishme të Turqisë, jo vetëm votën e saj por edhe për të marrë mbështetjen e diasporës. Sepse kjo nuk është vetëm për mirëqenien dhe zhvillimin tonë por është e rëndësishme edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka deklaruar ajo.

Ajo ndër të tjera duke potencuar se takimet bilaterale në margjinat e ADF kanë qenë të frytshme tha se “Kosova përballet me shumë probleme që Serbia dhe Rusia nxjerrin kundër procesit të njohjes. Dua të theksoj se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm dhe asgjë nuk mund të na ndalojë nga kjo”.

Osmani-Sadriu njoftoi se numri i vendeve që e kanë njohur Kosovën ka shkuar në mbi 100. “Ne flasim me vendet që janë gjeografikisht larg Kosovës dhe shpjegojmë se pavarësia është e drejta e Kosovës. Në aspektin politik Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi se pavarësia e Kosovës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Prandaj nuk ka asnjë problem në aspektin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vendet tjera”, shtoi ajo.

Presidentja Osmani-Sadriu foli edhe lidhur me dialogun që vazhdon me Serbinë, e cila tha se statusi i Kosovës është një çështje e zgjidhur përgjithmonë.

“Statusi i Kosovës është një çështje e zgjidhur përgjithmonë. Dialogu ynë aktual ka të bëjë me të qenit në gjendje të jetojmë krah për krah si dy fqinjë, duke hequr pengesat në tregti, duke folur për të zhdukurit në luftë dhe duke diskutuar mbi çështje për të mirën e popujve të dy vendeve sovrane”, theksoi presidentja e Kosovës.

Ajo nënvizoi se pavarësia dhe kufijtë e Kosovës në asnjë mënyrë nuk do të vijnë në tryezë, duke tërhequr vëmendjen se hapja e këtyre çështjeve për diskutim do të destabilizonte rajonin.

Sipas saj, me përshpejtimin e njohjes së Kosovës, integrimi evropian gjithashtu do të përshpejtohet.

“Është pala e BE-së që nuk mbajti fjalët lidhur me liberalizimin e vizave”, ka theksuar presidentja.

Osmani-Sadriu tha se Kosova ka bërë atë që i takon në rrugën për në Bashkimin Evropian.

“Duhet të them se është pala e BE-së që nuk bëri atë që i takon lidhur me liberalizimin e vizave. Veçanërisht në fushën e liberalizimit të vizave, megjithëse e kemi bërë pjesën tonë 3 vjet më parë, BE-ja ende nuk e ka përmbushur këtë premtim”, tha ajo.

Ajo theksoi se disa vende të BE-së po vendosin pengesa në këtë proces, duke shtuar se Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë një qasje në favor të Kosovës.

Ndër të tjerat Osmani-Sadriu shprehu shpresën që edhe për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të përshpejtohet procesi i BE-së, ndërsa tha se ky proces është vonuar për rajonin, ndërsa theksoi se Serbia nuk është e sinqertë lidhur me anëtarësimin në BE.

“Nuk mundeni të kërkoni anëtarësim në BE duke bërë gjithçka me Rusinë në aspektin ekonomik, ushtarak dhe tregtar, duke rritur ndikimin e Rusisë në rajon. Duhet të vendosin se çfarë duan. Për rajonin tonë BE-ja duhet të jetë opsioni i vetëm. Ne nuk kërkojmë një opsion tjetër. BE-ja gjithmonë është opsioni ynë i vetëm dhe synimi strategjik”, theksoi ajo./Insajderi.com