Nuk ka marrëveshje të re, por përforcim të komunikimit në më shumë nivele. Kështu, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani i hodhi poshtë pohimet e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski i cili tha se Bullgaria ka kërkuar marrëveshje të re në të cilën do të ridefinohet kombi maqedonas. Komisioni i përzier ekspertësh nesër dhe pasnesër do të mbajë takim në Shkup, që është një hap tjetër drejt plotësimit të obligimeve të Marrëveshjes

“Më lejoni të bëj thirrje për seriozitet dhe pjekuri politike. Marrëdhëniet me fqinjët nuk rregullohen me plasim të përditshëm të informacioneve në opinion publik, e aq më pak me spekulime dhe deklarata tendencioze që kanë për qëllim ta nxehin atmosferën”, tha Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Osmani me këtë aludoi në deklaratën e Mickoskit – se Zaharieva ka vendosur kusht të ri për negociatat me BE-në, respektivisht të nënshkruhet marrëveshje e re e cila do të parashikojë ndryshime kushtetuese për ridefinim të kombit maqedonas. Por, nga VMRO-DPMNE-ja edhe sot mbesin në të njëjtin qëndrim, duke u thirrur në burime jozyrtare. Pohojnë se të gjitha këto i ka dakorduar kryeministri Zaev.

“Zaevi gënjeu se i ka mbyllur të gjitha çështjet kyçe për Maqedoninë. Prandaj, Zaevi duhet të tregojë nëse kërkesat e fundit nga Zaharieva kanë të bëjnë me ndryshime kushtetuese, siç ka ndodhur me Marrëveshjen me Greqinë – ridefinim i kombit maqedonas dhe heqje dorë nga historia maqedonase”, theksoi Naum Stoillkovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Osmani të premten udhëtoi në Sofje, ku u takua me homologen e tij, Zaharieva dhe kryeministrin bullgar Borisov, por në deklaratat e tyre nuk është vërejtur ndryshim i qëndrimeve lidhur me gjuhën dhe kombin maqedonas. Pas kësaj, kryeministri Zaev tha se ajo që është propozuar nga Sofja nuk është as miqësore, e as evropiane dhe se duhet të përgatitemi për bllokadë sa i takon nisjes së bisedimeve me Bashkimin Evropian.