Miratimi i Kodit zgjedhor është jashtëzakonisht i rëndësishëm për rregullsinë e procesit zgjedhor edhe atë nga më shumë aspekte. Së pari për shkak se duhet të implementohen rekomandimet e OSBE ODIHR-së, ndërsa kjo na është veçanërisht e rëndësishme tani në prag të samiteve evropiane, por së dyti edhe për shkak se për herë të parë po hyjmë në një mënyrë të re të financimit të fushatave zgjedhore, ku shumë çështje duhet të rregullohen.

Këtë sot në intervistën për AIM e deklaroi zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje evropiane Bujar Osmani, lidhur me kërkesën e BDI-së për balancimin e detajuar të njësive zgjedhore.

“Për të gjitha këto çështje arritëm konsensus mes partive politike. Një çështje që është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe nga e cila varet ligjshmëria e procesit zgjedhor është dallimi në numrin e votuesve në njësitë e ndryshme zgjedhore”,, bëri të ditur Osmani.

Sipas tij, miratimi i Kodit Zgjedhor është i rëndësishëm për rregullsinë e procesit zgjedhor dhe se disa ditë më parë, KSZH dërgoi letër Ministrisë së Drejtësisë, duke bërë të ditur se për herë të parë nv katër njësi zgjedhore kemi devijim prej mbi 5%.

“Prandaj, propozuam zhvendosje të sakta dhe të matura mirë të kalkuluar të vendvotimeve nga njëra NJZ në tjetrën në mënyrë që të gjitha NJZ-të të bien nën limitin zgjedhor prej 5 për qind. U bëjmë thirrje partive politike që ta
pranojnë këtë amendament të BDI-së meqë qëllimi i këtij amendamenti është vetëm ligjshmëria e procesit dhe mundësimin e barabarësisë në peshën e votës së secilit qytetar në cilëndo NJZ. Shpresoj se partitë politike do të reflektojnë ndaj kësaj nevojë dhe nuk do të lejojnë rrezikimin e procesit të paligjshëm zgjedhor, që mund ta vështirësojë në mënyrë plotësuese situatën politike në vend.