Zv.kryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani, në një intervistë për AA ka folur në lidhje me takimin e krerëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet të dielën në Ohër. Osmani pohoi se në takim janë ftuar presidenti i Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës dhe Serbisë.

Ai theksoi se takimi organizohet pa paragjykime dhe projekte politike, duke shtuar se “ne nuk bëjmë projekte rajonale pa aprovimin e Washingtonit dhe Brukselit”.

“Ideja nuk është për t’u paragjykuar në aspekt të formimit të një zone politike të ‘mini-Shengenit’ e kështu me radhë, por është për të parë mundësitë për shfrytëzimin e mundësive për një bashkëpunim më të mirë rajonal”, thotë Osmani, duke përmendur analizat e Bankës Botërore, sipas të cilave, kamionët kalojnë 80 për qind të kohës në pikat kufitare dhe duke bërë thirrje që të hiqen barrierat ekonomike dhe doganore.