Zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim Bujar Osmani në pres konferencën e sotme ka sqaruar se mbrëmë kryesia e partisë i ka dhënë përkrahje projekt ligjit për zyrtarizimin e gjuhës shqipe.

“Nuk ka zgjidhje ideale. Ne mendojmë se kjo është zgjidhja optimale e cila e mbyll çështjen e vetme të pazgjidhur nga marrëveshja kornizë në pjesën e sjelljes së Ligjit. Tani, kalohet në fazën tjetër të bisedimeve, pritet të bëhet përputhja e programeve mes dy partive, të cilët janë promovuar gjatë fushatave zgjedhore për udhëheqjen e shtetit, sipas ndarjes së dikastereve, ka shtuar Osmani.

BDI-ja sipas tij, nuk i jep mandat askujt, por bisedon që të arrihet marrëveshje për përkrahje reciproke për qeverisje të përbashkët me këdo çoftë prej partive politike.

“Me LSDM-në në këtë periudhë patëm bisedime pune  ku biseduam për të gjitha çështjet, Shtylla kryesore e këtyre bisedimeve ishte harmonizimi i tekstit  të ligjit për përdorimin e gjuhëve. Deri tani grupet e punës punuan për tekstin që e përgatiti BDI-ja në bashkëpunim me partitë e tjera  shqiptare. Dje Kryesia e miratoi tekstin e këtij ligji që ne ia propozuam LSDM-së si tekst për harmonizimin e përbashkët me qëllim të miratimit në Kuvend”, tha Osmani duke theksuar se kjo është vetëm një nga pikat kryesore dhe se nesër fillojnë bisedimet për pjesët e tjera të platformës.

Kryetari  i BDI-së, Ali Ahmeti, sipas Osmanit, ka të drejtë në bazë të Statutit, por edhe në pajtim me Kryesinë e Partisë në pjesën e dhënies së mandateve, nëse këtë e vlerëson duke marrë parasysh  rrethana të caktuara siç janë zgjedhjet lokale e të tjera.

“Nëse e vlerëson këtë ai mund ta bëjë pa thirrur Kryesinë. Megjithatë do ta lemë këtë në vlerësim nëse mundet apo jo që të bëhet para marrëveshjes përfundimtare për qeverisje të përbashkët.”, tha Osmani.

BDI-ja siç tha, është e kujdesshme në këtë proces që  të mos lërë çështje të paparashikuar për shkak të komplikimit të gjendjes në Maqedoni, e cila tashmë tre vjet është në krizë. “Nuk duam që të kontribuojmë me asnjë hap që këtë krizë ta thellojmë”, theksoi zëdhënësi i BDI-së.

Lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe, Osamni tha se nuk ka zgjidhje idelae, por se BDI-ja konsideron se ajo që është dakorduar  është zgjidhje optimale.

“Në pjesën e miratimit të ligjeve në pajtim me Marrëveshjen e Ohrit ky ligj u miratua si një çështje e papërfunduar, kështu që konsiderojmë se miratimi do të jetë një moment historik sepse është pritur 15 vjet dhe nënkupton mbylljen e një prej temave të rëndësishme e cila në mënyrë të dukshme do t’i relaksojë marrëdhëniet ndëretnike dhe do të heqë një barrë të rëndë nga marrëdhëniet ndëretnike dhe do të lejojë një progres më të lehtë të vendit”, konsideron Osmani.

E citoj nenin 5 të Kushtetutës së RM-së i cili parashikon se gjuha zyrtare dhe shkrimi i saj është në përdorim zyrtar si dhe gjuha e komuniteteve që janë më shumë se 20 për qind

“Do të thotë që sipas detyrës zyrtare edhe në komunikim me qytetarët në institucionet qendrore dhe në institucionet lokale edhe gjuha shqipe dhe shkrimi i saj është në përdorim zyrtar. Edhe në procedurat gjyqësore edhe në procedurat në Prokurori, do të thotë në të gjitha organet e pushtetit shtetëror. Nëse cilido qoftë nga palët flet në gjuhën shqipe do të duhet që tërë procedura gjyqësore të jetë në gjuhën shqipe”, tha Osmani duke shtuar se dygjuhësor do të jenë edhe të gjitha dokumentet dhe aktet që do të dalin nga ky proces.

Lidhur me dygjuhësinë në kartëmonedhat, thotë se BDI nuk ka hequr dorë nga ajo ide dhe se për këtë në këtë proces janë konsultuar një numër i madh i ekspertëve të mos dilet jashtë kornizave të Kushtetutës. Për ndryshim të flamurit dhe të himnit, thotë se këto janë çështje të cilat kërkojnë ndryshim të Kushtetutës.

“Çështjet të cilat kërkojnë ndryshim të Kushtetutës, ideja e platformës ishte të arrihet konsensus brendashqiptar si parakusht për fillim të konsensusit shqiptaro-maqedonas. Këto çështje i tejkalojnë marrëdhëniet ndërmjet dy partive politike cilat do qoftë ato, nëse BDI dhe VMRO,  nëse BDI dhe LSDM, shumicë prej dy të tretave, do të thotë përfshirjen e të gjitha partive dhe prej këtu kjo veçmë do të thotë dialog ndërmjet bashkësive. Ai proces do të vazhdojë”, tha Osmani.

Për ndarjen e dikastereve dhe informacioneve të cilat dolën nga mediat tha se janë spekulime se bisedimet nuk kanë arritur në atë fazë. “Tani fillimisht fillojmë me bisedimet lidhur me atë nëse mundemi të harmonizojmë qeveri ndërmjet dy partive. Mendoj se para dikastereve kanë çështje më të rëndësishme, ndërsa kjo është harmonizimi i platformave. Harmonizim të platformave – programi i qeverisë. Programi zgjedhor i BDI-së është shumë i qartë dhe është prezantuar para qytetarëve dhe atje janë prezantuar të gjitha pikat të cilat duhet të implementohen. Dhe nëse kuptohet këtu nuk gjejmë pajtueshmëri kjo sërish është pengesë për lidhjen e marrëveshjes”, tha Osmani.