Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj i kanë uruar shërim të shpejtë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas infektimit me coronavirus.

Pacolli ka thënë se COVID-19 është lufta jonë që së bashku duhet ta fitojmë, transmeton Telegrafi.

“Covid 19 është lufta jonë që së bashku duhet ta fitojmë. Kryetarit të VV, Albin Kurti i uroj shërim të shpejtë, ndërsa të gjithë qytetarëve u bëj apel që të kenë kujdes dhe të respektohen masat. Mbajeni maskën, distancën dhe higjienën”, ka thënë Pacolli në një postim në Facebook.

Kurse, deputeti Haradinaj ka shpërndarë një fotografi së bashku me Kurtin, duke i uruar shërim të shpejtë.

Ndërkaq, sot gjatë ditës kreu i LVV-së, Albin Kurti ka njoftuar se është prekur nga coronavirus.

“Të nderuar anëtarë të Lëvizjes e qytetarë të Republikës. Parmbrëmë kisha disa simptoma: kokëdhembje të lehtë, pak koll dhe dhembje e skuqje të syve. Dje jam testuar për COVID-19 dhe kam rezultuar pozitiv. Në dy javët në vijim do të qëndroj në vetizolim”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ndryshe, në Kosovë është rritur numri i rasteve me COVID-19, në 24-orët e fundit janë konfirmuar 197 raste të reja, kurse numri i viktimave ka arritur në 669.