Është ngritur padi penale për njërin prej sulmuesve ndaj gazetarëve të portalit A1on, të cilët u rrahën gjatë protestave të iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët”. Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu realizoi sot një takim me kryetarin e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmanin, pas të cilit njoftoi se për një person është ngritur padi penale dhe se janë duke vazhduar hetimet për të identifikuar edhe personat e tjerë, që kanë marrë pjesë në sulmin e gazetarëve të A1On-it. Nuhiu u shpreh se do të vazhdojë të bashkëpunojë në drejtim të respektimit të institucioneve të sistemit shtetëror, të vlerave kushtetuese dhe të punës objektive, profesionale dhe të paanshme të gazetarëve.

“E informova kryetarin e Shoqatës së Gazetarëve të RM-së, se dje Sektori për Punë të Brendshme në Shkup ka ngritur kallëzim penal për kryerës potencial të veprës penale, dhunë, të paraparë me nenin 386, të Kodit Penal të RM-së, me mundësi që ky kallëzim penal të plotësohet me fakte dhe me mjete tjera të provës, por dhe në pikëpamje të zgjerimit për të dyshuarit e tjerë të cilët kanë marrë pjesë në dhunën e ushtruar ndaj gazetarëve të portalit A1ON”, ka thwnw Agim Nuhiu, Ministër i Brendshëm.

Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani deklaroi se është hera e parë që MPB identifikon dhe ngren padi kundër atyre që sulmuan gazetarët e portalit A1ON për një periudhë shumë të shkurtër kohore.

“Mendoj se kjo është e rëndësishme sepse dërgon porosi te të gjithë qytetarët e Maqedonisë se secili që do të marr guximin të sulmoj gazetarët do mbaj përgjegjësi dhe do të sanksionohet. Ne sot patëm rastin që nga ministri të kërkojmë edhe të intensifikohen hetimet edhe për rastet e vjetra të sulmeve kundër gazetarëve dhe shpresojmë se në një afat të shkurtë, drejtësia do t’i mbërrij edhe ata që në të kaluarën kanë dhunuar gazetarët”, ka deklaruar Naser Selmani, Kryetari i SHGM-së.

Selmani gjithashtu njoftoi se në këtë takim u bisedua edhe për atë që MPB të bëjë edhe një regjistër të veçantë për dhunën ndaj gazetarëve, sepse siç u shpreh ai, dhuna kundër gazetareve dhe medieve, nuk është vetëm dhunë kundër një qytetari, por është dhunim kundër të drejtës për lirinë e fjalës dhe për të drejtën e qytetarëve që të jenë të informuar sepse kjo automatikisht e pengon funksionimin e proceseve demokratike në vend.

Ndryshe, dy gazetarë të portalit A1on, janë sulmuar fizikisht nga 5 persona gjatë protestës, para Kuvendit të Maqedonisë. Ndaj gazetarëve është përdorur dhunë dhe u kanë dëmtuar kamerën./SHENJA/


Padi penale për sulmuesin e gazetarit by tvshenjaofficial