Këto pamje nga një spital spanjoll zbulojnë realitetin e jetës në vijën e frontit të coronavirusit.

Një shëtitje nëpër Spitalin Severo Ochoa në Madrid tregon se është e tejmbushur me pacientë që presin nëpër korridore, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.

Ata “më me fat” janë të shtrirë në shtretër, kolltuqe apo karrige. Dhe të tjerët, me sa duket më të rinj, shtrihen në dysheme mbi dyshekë të hollë.

Luis Díaz Izquierdo, një mjek urgjence në këtë qendër, mohon versionin zyrtar në lidhje me shpërndarjen e pajisjeve dhe testeve.

“Unë nuk dua të hyj në çështje politike, të cilat nuk janë të rëndësishme, por kur dëgjoj në televizion se ka mjaft materiale, dhe pastaj ne vetë dhe kolegët tanë me të cilët kemi folur këtë mëngjes, ankohemi se nuk ka material të mjaftueshëm – nuk mund ta besoj”.

“Kur ata dalin duke thënë se ne kemi 300,000 teste. Është shumë mirë të kesh 300,000 komplete, por ç’është qëllimi nëse nuk ka profesionistë të përshtatshëm që mund t’i interpretojnë ato?”

Një specialist tjetër rrëfen frikën e profesionistëve të shëndetit që preken nga virusi vetë, dhe sjelljen e coronavirusit në familjen e tyre.

Përveç kësaj, ata janë të lodhur dhe të paaftë për të marrë një ditë pushimi për shkak të humbjes së kolegëve të infektuar.

Spanja aktualisht ka 64,000 raste të konfirmuara, dhe afro 5,000 vdekje – e dyta më e lartë në botë.